“Anëtarësimin e Kosovës në organizata evropiane” Albin Kurti kërkon mbështetjen e Von der Leyen për statusin kandidat të Kosovës në BE

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur sot në takim presidenten e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen. Pas kësaj, Kurti në një konferencë për media deklaroi se kjo është vizita juaj e gjashtë në Prishtinë si Kryetare e Komisionit Evropian nga Ursula von der Leyen. “Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar…

Lajme

01/10/2026 14:39

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur sot në takim presidenten e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen.

Pas kësaj, Kurti në një konferencë për media deklaroi se kjo është vizita juaj e gjashtë në Prishtinë si Kryetare e Komisionit Evropian nga Ursula von der Leyen.

“Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm, dhe këtë e konfirmojnë vlerësuesit e pavarur. Kosova ka pasur njëra prej rritjeve më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon në këtë dekadë, vlerësuesit e pavarur tregojnë se kemi pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, në forcimin e sundimit të ligjit sikurse të institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe në avancimin e demokracisë. Përderisa në rajonin tonë të Evropës Juglindore ka autokraci elektorale, Kosova është demokraci elektorale”, tha ai.

Kryeministri Kurti ka deklaruar gjithashtu se zgjedhjet në Kosovë janë të lira, të drejta dhe konkurruese, duke theksuar nevojën që ato të zhvillohen sipas afateve të rregullta.

“Zgjedhjet tona janë të lira, të drejta dhe konkurruese. Dhe po, ato duhet të mbahen një herë në 4 vjet, e jo dy herë në vit. Ky përparim e ka bërë Kosovën edhe njëra prej vendeve më të sigurta në Evropë, 9 nga 10 qytetarët tanë ndihen të sigurt të ecin vetëm natën. Dhe përmirësimi më i madh në siguri dhe në sundimin e ligjit ka ndodhur në veri të vendit tonë. Ekonomia vazhdon të rritet 4% në vit, rritja më e lartë në rajon, ndërsa borxhi ynë publik mbetet më i ulët në Evropë. Vitin e kaluar Kosova u bë donatore e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim të Bankës Botërore, dhe sy kur banka botërore ashtu edhe fondi monetar ndërkombëtar na hoqën nga listat e tyre të shteteve të brishta dhe të prekura nga konflikti. Këtë rritje e kemi ndarë me qytetarët tanë përmes shtesave për fëmijë dhe për nëna, pensioneve më të larta dhe pagës minimale më të lartë, masat që për herë të parë janë vendosur ose janë rritur në këtë dekadë”, tha ai.

Ai tha se Kosova ka treguar se çka mund të arrijë e më me shumë dyer të hapura mund të arrijë edhe më shumë.

“Kosova i plotëson kushtet për vendin kandidat dhe për anëtarësim. Sfida ka shumë e në këtë botë të re, nuk mungojnë sfidat e reja por përparimi ynë është i qartë.Zonja Presidente llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi vendit kandidat dhe ti bëni thirrje Këshillit për aplikimin tonë. Mobiliteti rajonal është gjithashtu në thelb të rritjes.Marrëveshja për njohjen e diplomave duhet të zbatohet dhe Bosnja e Hercegovia duhet të zbatojë marrëveshjen e lirë për letërnjoftim që studentët e punëtorët të lëvizin lirshëm në tërë rajonin”,shtoi Kurti, transmeton lajmi.net.

Kurti foli po ashtu edhe për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Më lejoni të ndalem tek aktgjykim i Speciales që qytetarët po e ndjekin me shumë vëmendje.Në këtë aktgjykim janë tri pika që duhet theksuar ndërkombëtarisht: Pretendimet për të ashtuquajturën Shtëpi e Verdhë e trafikim të organeve as nuk bëjnë pjesë në aktakuzë, e akuza për krime kundër njerëzimit e popullsisë civile u rrëzu dhe Dhomat e Specializuara theksuan qartë që UÇK-ja nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare. Në të njëjtën kohë kemi shqetësime serioze për konkludime të tjera e vendime të rënda. Përbëjnë gabime faktive, historike dhe juridike e presim që këto të korrigjohen në Apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet përjetuar si e paanshme”,deklaroi Kurti.

Ai tha gjithashtu se “Rreth 20 mijë njerëz janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë e shumë kryerës s’janë ndëshkuar”.

“Kosova kërkon drejtësi për çdo krim, për çdo viktimë e çdo kryerës. S’mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë së fajësisë, për shkak që dikush të krijojë alternativa.Kosova e ka bërë pjesën e saj dhe ne jemi gati për hapin e radhës në anëtarësimin evropian”./Lajmi.net/