Ancelotti thotë fjalë të mira për Guler, i lumtur me skuadrën që ka për sezonin e ri

Real Madrid ka nisur përgatitjet për sezonin e ri ku sigurisht objektivat për “Los Blancos” do të jenë maksimale. Aktualisht, skuadra e drejtuar nga tekniku Carlo Ancelotti është nisur për në turin amerikan ku do të zhvillojë disa miqësore në mënyrë që lojtarët të marrin minutat e para. Një vëmendje e shtuar sigurisht do të…

Sport

21/07/2023 16:24

Real Madrid ka nisur përgatitjet për sezonin e ri ku sigurisht objektivat për “Los Blancos” do të jenë maksimale. Aktualisht, skuadra e drejtuar nga tekniku Carlo Ancelotti është nisur për në turin amerikan ku do të zhvillojë disa miqësore në mënyrë që lojtarët të marrin minutat e para.

Një vëmendje e shtuar sigurisht do të jetë tek prurjet e reja të merkatos e mbi të gjitha te Jude Bellingham e Arda Guler.

Në lidhje me dyshen, trajneri Ancelotti u shpreh se Bellingham ka sjellë kualitetin që i mungonte skuadrës ndërsa për Guler, italiani shtoi se ai është një djalosh shumë i talentuar dhe që do të hyjë menjëherë në zemrat e tifozëve.

“Jam shumë i lumtur me merkaton, lojtarët e rinj do të na ndihmojnë shumë përgjatë sezonit. Fran Garcia do të na ndihmojë në të majtë sepse sezonin e kaluar kishim probleme aty, Joselu na jep më shumë prezencë në zonë dhe është i aftë në luftën në ajër.

Guler pastaj është shumë i talentuar dhe shumë i ri. Besoj se fansat do ta duan shumë atë. Bellingham është një mesfushor shumë i mirë dhe ka atë kualitetin që i mungonte skuadrës, shkon në zonë dhe avancon mirë edhe kur nuk e ka topin në zotërim. Në këtë fazë përgatitore si dhe në fillimin e sezonit dua të provoj diçka të re, pastaj nëse nuk shkon mirë mund të rikthehemi te sistemi i vjetër.

Mbappe? Unë nuk flas kurrë për lojtarë që nuk janë pjesë e organikës. Mund të flas për Fran Garcia, Guler apo Bellingham. Të mos harrojmë që është rikthyer edhe Brahim Diaz, më duket shumë mirë pas eksperiencës me Milan. Është më i kompletuar dhe më i fortë. Për mua nuk është e drejtë të flas për dikë që nuk është pjesë e skuadrës sime”, u shpreh Ancelotti.