Ambasadori britanik uron Kurtin dhe Qeverinë pas vendimit të Kushtetueses: Të gjitha partitë të tregojnë përgjegjësi për zgjedhjen e Presidentit

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e përgëzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tij për konfirmimin e Qeverisë së re të Kosovës. Në një postim në Facebook, Hargreaves e ka cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm pas ngërçit të gjatë politik në…

Lajme

23/09/2026 18:48

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e përgëzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tij për konfirmimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Hargreaves e ka cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm pas ngërçit të gjatë politik në vend.

“Pas ngërçit të gjatë politik, ky është një hap i rëndësishëm drejt institucioneve të qëndrueshme dhe efektive, të cilat mund të sjellin rezultate për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ambasadori britanik.

Ai ka bërë të ditur se Mbretëria e Bashkuar pret të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë e Kosovës në muajt në vijim.

Hargreaves u ka bërë thirrje gjithashtu të gjitha partive politike që të tregojnë përgjegjësi dhe bashkëpunim për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Shpresojmë që të gjitha partitë politike tani do të tregojnë frymë përgjegjësie dhe bashkëpunimi për të zgjedhur një President para datës 6 tetor, duke e ndihmuar Kosovën të realizojë reformat dhe të përballet me mundësitë e sfidat që e presin”, ka deklaruar ai.

Ambasadori ka përsëritur se Mbretëria e Bashkuar mbetet “mike dhe partnere e palëkundur” e Kosovës, duke theksuar bashkëpunimin në demokraci dhe sundim të ligjit, mundësitë ekonomike, sigurinë rajonale dhe të ardhmen euro-atlantike të Kosovës. /Lajmi.net/