Allegri zbulon objektivat e sezonit në Juventus

15:31 | 17 Gusht 2018

Massimiliano Allegri ka folur për tema të ndryshme në konferencë për media para ndeshjes me Chievon.

Kampionati italian i futbollit do të ngrejë siparin nesër në orën 18:00 me sfidën Chievo-Juventus, ku debutimi i Cristiano Ronaldos me bardhezinjtë, do të bëjë që miliona njerëz të gozhdohen para ekranit për ta ndjekur takimin.

Massimiliano Allegri ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka folur për debutimin e Ronaldos, largimin e Marchisios, merkaton, objektivat dhe gjithçka tjetër që lidhet me skuadrën që ai drejton.

Lamtumira e Marchisios:
Unë personalisht duhet ta falënderoj Claudion, sepse në katër vite me mua, ka treguar se është një futbollist i madh, një njeri dhe një profesionist i jashtëzakonshëm, një shembull për të gjithë lojtarët që i janë bashkuar Juventusit. AI ka qenë për 25 vite te Juventusi dhe kemi vendosur që të ndahemi këtu, ndërsa shoqëria vendosi t’i zgjidhë kontratën, për t’i dhënë mundësinë e një tjetër eksperience.

Tragjedia e Gjenovës dhe shtyrja e dy takimeve:
Mendoj se është marrë një vendim i drejtë për Genoan dhe Sampdorian. Nuk ka fjalë për të thënë, në lidhej me këtë tragjedi. Do të luajmë në këtë periudhë zije kombëtare, por duke respektuar personat që janë prekur drejtpërdrejtë nga kjo tragjedi.

Pritshmëri, frikë apo këshilla për Ronaldon…
Asnjë këshillë për CR7. Do të jetë diçka e re për të dhe do t’i duhet të njohë kampionatin italian, pasi nesër starton një sezon i ri dhe një sfidë e re. DO të jetë gjithmonë e më e vështirë, sepse pavarësisht se jemi përforcuar ndjeshëm, edhe kundërshtarët tanë nuk kanë qëndruar në vendnumero. Duhet të lëmë mënjanë periudhën e ekzaltimit për marrjen e Ronaldos dhe të kthehemi me këmbë në tokë, për të luajtur ndaj një skuadre si Chievo, që ka dëshirë për të bërë mirë ndaj kampionit në fuqi. Ndeshja e parë është gjithmonë një e panjohur e madhe. Jam kurioz të shoh edhe unë se si do të paraqitet skuadra, për të bërë më pas ndërhyrjet e nevojshme dhe për të gjetur ekuilibrat e duhur.

Objektivi Champions
Që kur kam ardhur te Juvja, ka qenë gjithmonë viti i Championsit, kampionatit dhe Kupës së Italisë. Juve është një skuadër që çdo vit niset për të fituar gjithçka. Dy herë i kemi shkuar shumë pranë triumfit në çdo kompeticion, ndërsa këtë sezon, objektivi i parë është që të kalojmë grupet. Të gjithë janë të ekzaltuar për mbërritjen e Ronaldos, por realiteti është ai që do të shfaqet në fushën e lojës. Mund të kesh lojtarët më të mirë në botë, por nëse nuk impenjohesh maksimalisht dhe me këmbë në tokë, atëherë nuk shkon gjëkundi. Unë dëshiroj që të mbërrijmë në mars, duke qenë në garë për të tre trofetë, pasi atëherë do të kemi gjetur edhe ekuilibrat e duhur për të synuar më pas hapin e madh.

Detaje mbi formacionin
Nesër do të luajnë me siguri Ronaldo, Chiellini, Pjanic, Cancelo dhe Alex Sandro. Për pjesën tjetër të formacionit, do të më duhet të bëj akoma llogaritë, mbi të gjitha në mesin e fushës. Shumë do të varet edhe nga mënyra se si do të shkojë ndeshja, por prirem t’u besoj atyre që kanë qenë në SHBA, pasi kanë më shumë minuta në këmbë.

Merkato:
Besoj se është mbyllur tashmë për ne. Në dalje ishte Marchisio dhe askush tjetër. Nuk di se çfarë do të ndodhë me skuadrën B. I vetmi diskutim është për Kean, që ose do qëndrojë, ose do të luajë jashtë shtetit. Unë kam punuar në sintoni me drejtuesit dhe mendoj se organika është përforcuar ndjeshëm, ndaj kam bindjen, që nëse sillemi në mënyrën e duhur, mund të synojmë diçka të madhe.

Viti i fundit te Juventus?
E thonë të tjerët këtë. Unë jam krenar që jam te Juventus dhe për punën që kam bërë këtu. Duhet të bëjmë një tjetër sezon të mrekullueshme, pastaj në mars do të vendosim nëse do të vijojmë akoma, apo do të ndahemi. Unë ndihem mirë te Juvja, por ajo që bën diferencën janë rezultatet.