Akuzohen dy ish-zyrtarë në Lipjan, dyshohet se përvetësuan armët zyrtare të gjahut
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, R.N. dhe H.D., të dyshuar për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”. Aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, përkatësisht Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, raporton lajmi.net Sipas Prokurorisë, R.N. dyshohet se gjatë periudhës 2022–2026, derisa ishte i angazhuar si rojtar…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, R.N. dhe H.D., të dyshuar për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.
Aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, përkatësisht Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, raporton lajmi.net
Sipas Prokurorisë, R.N. dyshohet se gjatë periudhës 2022–2026, derisa ishte i angazhuar si rojtar në Agjencinë Pyjore të Kosovës, në Njësinë Pyjore Blinaj në Lipjan, nuk e ka dorëzuar armën zyrtare të gjahut pas përfundimit të detyrës me rastin e pensionimit.
Bëhet fjalë për një armë të modelit “Over/Under”, e cila, sipas aktakuzës, ishte pronë e Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Në rastin tjetër, Prokuroria pretendon se H.D., i cili kishte punuar si rojtar në të njëjtën njësi, gjatë periudhës 2019–2026 nuk e ka dorëzuar armën zyrtare pas përfundimit të marrëdhënies së punës me rastin e shkarkimit.
Sipas aktakuzës, arma e dytë ishte e modelit “Pump Action Shotgun”, ndërsa mosdorëzimi i saj dyshohet se i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Të dyshuarit gëzojnë të drejtën për t’u konsideruar të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë gjyqësore./Lajmi.net/