Aktakuzë ndaj një shtetaseje të RMV-së për falsifikim të autorizimeve dhe mashtrim me prona, dyshoi se shkaktoi dëm rreth 320 mijë euro
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, e dyshuar për falsifikim të autorizimeve dhe mashtrim me prona, duke shkaktuar dëme pasurore në vlerë prej rreth 320 mijë eurosh. Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura dyshohet se më 13 nëntor 2024, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Divizioni Civil, ka…
Lajme
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, e dyshuar për falsifikim të autorizimeve dhe mashtrim me prona, duke shkaktuar dëme pasurore në vlerë prej rreth 320 mijë eurosh.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura dyshohet se më 13 nëntor 2024, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Divizioni Civil, ka përdorur një autorizim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga xhaxhai i saj, për shitjen e pronave të tij në Kosovë.
Përmes këtij dokumenti, ajo dyshohet se ka arritur që gjykata t’ia njohë të drejtën e pronësisë një personi për disa parcela në zonën kadastrale Petroviq të komunës së Shtimes.
Për këtë rast, ajo akuzohet për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, më 20 tetor 2016, në Ferizaj, e pandehura dyshohet se ka mashtruar një person tjetër, duke pretenduar se kishte autorizim nga xhaxhai për shitjen e pronave të tij.
I dëmtuari dyshohet se kishte kryer pagesa të ndryshme përmes bankës “Raiffeisen”, në llogarinë e të pandehurës, për blerjen e pronës. Mirëpo, më vonë kishte kuptuar se autorizimi i përdorur për shitjen e saj ishte i falsifikuar.
Në këtë rast, dëmi i shkaktuar dyshohet të jetë 200 mijë euro. Për këtë, ajo akuzohet për veprën penale “Mashtrimi”.
Po ashtu, gjatë vitit 2018, e pandehura dyshohet se ka mashtruar edhe një person tjetër, duke përdorur të njëjtin autorizim të falsifikuar për shitjen e pronës.
Sipas Prokurorisë, ishte lidhur një parakontratë për shitblerjen e pronës në vlerë prej 170 mijë eurosh, ndërsa blerësi kishte paguar 120 mijë euro, me marrëveshjen që pjesa e mbetur prej 50 mijë eurosh të paguhej pas marrjes së fletës poseduese.
Dëmi në këtë rast dyshohet të jetë 120 mijë euro.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, e pandehura të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit. /Lajmi.net/