Aksion i madh i Prokurorisë dhe IPK-së në Prishtinë, Fushë Kosovë e Obiliq, dyshime për korrupsion dhe falsifikim pronash
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Policinë e Kosovës, është duke zhvilluar dy aksione të ndara në Prishtina, Fushë Kosovë dhe Obiliq. Sipas komunikatës së Prokurorisë, aksionet po realizohen në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për bastisjen e pesë personave zyrtarë dhe dy…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Policinë e Kosovës, është duke zhvilluar dy aksione të ndara në Prishtina, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, aksionet po realizohen në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për bastisjen e pesë personave zyrtarë dhe dy personave civilë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Të dyshuarit po hetohen për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje të fshehtësisë së procedurës, marrje deklaratash me anë të shtrëngimit, keqpërdorim të informatës zyrtare, mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme, marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti.
Sipas dyshimeve fillestare, personat e përfshirë dyshohet se kanë siguruar përfitime të kundërligjshme pasurore përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të pronave.
Po ashtu, pesë zyrtarët e dyshuar dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore për të mundësuar përfitime të kundërligjshme.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore në përputhje me ligjin. /Lajmi.net/