Del para Apelit polici i akuzuar për aksidentin ku vdiq 26-vjeçarja – Pala e dëmtuar kërkon dënim më të ashpër, mbrojtja zbutjen të dënimit
Në Gjykatën e Apelit të enjten është mbajtur seanca në rastin ku ish-zyrtari policor Argjend Kastrati është dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 4 vjet burgim për aksidentin ku humbi jetën Z.Gj. Pala e dëmtuar kërkoi t’i ashpërsohet dënimi, ndërkaq mbrojtja zbutje të dënimit. Seanca u mbajt para kolegjit të Apelit i përbërë nga…
Lajme
Në Gjykatën e Apelit të enjten është mbajtur seanca në rastin ku ish-zyrtari policor Argjend Kastrati është dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 4 vjet burgim për aksidentin ku humbi jetën Z.Gj. Pala e dëmtuar kërkoi t’i ashpërsohet dënimi, ndërkaq mbrojtja zbutje të dënimit.
Seanca u mbajt para kolegjit të Apelit i përbërë nga Mehmet Ndrecaj- kreytar i kolegjit, Abdullah Ahmeti- gjyqtar referues dhe Ferit Osmani- anëtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtari Ahmeti njoftoi se kundër vendimit të Themelores, ankesë kanë parashtruar pala e dëmtuar me përfaqësueses avokatin Milot Neziraj. Ankesa u parashtrua për shkak të vendimit mbi dënimin.
Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Kastrati, avokatja Majlinda Sadikaj ka paraqitur ankesë kundër vendimit të Themelores për të gjitha bazat ankimore, me propozimin për ndyshimin e dënimit nga Apeli.
Prokuroria e Apelit, ka propozuar aprovimin e ankesës së palës së dëmtuar, ndërsa të akuzuarit Kastrati t’i shqiptohet dënim më i lartë, si dhe të refuzohet ankesa e të akuzuarit.
Në seancë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Neziraj deklaroi se në këtë rast Themelorja ka mbivlerësuar rrethanat lehtësuese në raport me pasojen fatale të shkaktuara. Ai kërkoi nga Kolegji i Apelit të aprovojë ankesën dhe të akuzuarit Kastrati t’i shqiptojë dënim më të lartë.
Ndërsa, avokatja Sadikaj deklaroi se si mbrojtje mbesin pranë ankesës së ushtruar, duke theksuar se dënimi prej 4 vitesh burgim është tepër i lartë dhe nuk përkon me rrethanat e këtij rasti. Propozoi ndryshimin e vendimit të Themelores që ndaj të mbrojturit të saj të shqiptohet dënim më i butë.
Sadikaj kërkoi që edhe dënimi plotësues i kufizimit të vozitjes të ulet.
Në seancë u deklarua edhe vetë i akuzuari Kastrati, duke shprehur keqardhje dhe kërkimfalje për familejn e viktimës. Ai tha se secili dënim për të nuk ka rëndësi, duke u shprehur se dënimin ia ka dhënë vetes nga ajo ditë.
Kujtojmë se Kastrati më 1 korrik 2025 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, duke e gjykuar me 4 vjet burgim dhe dënim plotësues- “Marrja e lejes së vozitjes” për katër vjet.
Kastrati e kishte pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar për veprën penale që i vihej në barrë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, thuhet se më 1 prill 2025, i akuzuari Argjend Kastrati, nga pakujdesia shkel Ligjin mbi trafikun publik dhe shkakton vdekjen e viktimës Z.Gj. Aktakuza thotë se gjersa i pandehuri ishte duke qarkulluar me automjetin e tij në rrugën brenda vendbanimit ku kufizimi i shpejtësisë është 60 km/h, me të arritur tek vendkalimi për këmbësorë, ku kishte qenë duke e kaluar rrugën viktima nga ana e majtë e drejtimit të lëvizjes së automjetit për në anën e djathtë, me një shpejtësi lëvizjeje prej 89.31 km/h, nuk i kushton kujdes të veçantë viktimës dhe nuk i jep përparësi, por e godet me pjesën e përparme të anës së djathtë të veturës, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, të cilave viktima nuk ka mundur t’u mbijetojë.
Në aktakuzë thuhet se si pasojë e lëndimeve, viktima Z.Gj., ndërron jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Me këto veprime, Kastrati akuzohej se ka kryer veprën penale ““Rrezikim i trafikut publik” nga neni 370, par. 9 lidhur me par. 6 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.