Abdullahu: Protestat e kthyen mbrojtjen e UÇK-së në Kuvend, nis një faqe e re në politikën e Kosovës

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka vlerësuar se zhvillimet e fundit politike në vend shënojnë fillimin e një faqeje të re në politikën e Kosovës. Përmes një shkrimi në Facebook, Abdullahu ka thënë se protestat e mbajtura në Prishtinë kanë ndikuar që çështja e mbrojtjes së vlerave të luftës dhe të…

Lajme

07/10/2026 12:46

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka vlerësuar se zhvillimet e fundit politike në vend shënojnë fillimin e një faqeje të re në politikën e Kosovës.

Përmes një shkrimi në Facebook, Abdullahu ka thënë se protestat e mbajtura në Prishtinë kanë ndikuar që çështja e mbrojtjes së vlerave të luftës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të rikthehet në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka theksuar se angazhimi tash duhet të vazhdojë edhe në praktikë, si për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, ashtu edhe për ish-drejtuesit e saj që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

“Dje ka fituar një segment demokracie në Kosovë. Në rend të parë, falë protestave në sheshin e Prishtinës, mbrojtja e vlerave të luftës, mbrojtja e UÇK-së, është kthyer në Kuvendin e Kosovës. Që sot duhet të fillojë e të fitojë në praktikë edhe UÇK-ja si vlerë, edhe ata në Hagë si pararendës të kësaj vlere”, ka shkruar Abdullahu.

Ai e ka cilësuar këtë vetëm fillimin e një “maratone nacionale dhe institucionale”, duke shtuar se në këtë proces duhet të dëshmohet edhe sinqeriteti i atyre që angazhohen për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Abdullahu ka komentuar edhe zhvillimet politike që çuan në shmangien e zgjedhjeve të reja, duke pretenduar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka llogaritur se votuesit mund ta ndëshkonin përmes votës kundër ose abstenimit.

Sipas tij, protestat, intensiteti dhe pjesëmarrja e të rinjve në to kanë përcjellë një mesazh të qartë politik.

Ai është shprehur edhe për zgjedhjen e Justina Pulës si presidente, duke e vlerësuar si një zhvillim që, sipas tij, mund të ndikojë që institucionet të mos funksionojnë në mënyrë njëpartiake. Megjithatë, Abdullahu ka thënë se presidentja e re duhet ta dëshmojë këtë përmes veprimeve të saj.

Në shkrimin e tij, zëdhënësi i PDK-së ka vlerësuar edhe kryetarin e kësaj partie, Bedri Hamza, për qëndrueshmërinë dhe kalkulimet politike gjatë zhvillimeve të fundit.

Në fund, Abdullahu ka theksuar se, ndonëse në Kosovë po hapet një faqe e re politike, mbetet shumë punë përpara, veçanërisht për opozitën.

“Po fillon një faqe e re në politikën në Kosovë. Nuk është një epokë e re. Prishtina sot është zgjuar e qetë. Që të flemë rahat, kemi shumë punë përpara çdo ditë edhe si opozitë. Sidomos si opozitë”, ka shkruar Abdullahu. /Lajmi.net/