Abdixhiku prezanton programin e LDK-së për familjet: 200 euro në muaj për një vit për çdo fëmijë të porsalindur, 40-50 euro për fëmije deri 16 vjeç
Kandidati i LDK-së për kryeministër të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka prezantuar sot programin e tyre qeverisës dhe kandidatët për deputetë. Ai ka prezantuar edhe programin e tyre për familjet, ku ka thënë se e kanë vendosur njeriun në qendër të shtetit. Abdixhiku ka thënë se do ta mbështesin çdo familje të re që do të…
Lajme
Kandidati i LDK-së për kryeministër të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka prezantuar sot programin e tyre qeverisës dhe kandidatët për deputetë.
Ai ka prezantuar edhe programin e tyre për familjet, ku ka thënë se e kanë vendosur njeriun në qendër të shtetit.
Abdixhiku ka thënë se do ta mbështesin çdo familje të re që do të krijoj jetën e tyre në Kosovë, për çka ka thënë se detyrimi i vetëm i tyre është që të sigurojnë një kontratë mes qytetarit dhe shtetit, ku shteti i rrin në krah qytetarit nga dita e parë e lindjes deri te vendi i parë i punës.
“Kemi paraparë që shtetin t’ua ofrojmë të porsalindurve që nga dita e parë që hapin sytë, për çdo fëmijë të porsalindur, nënat kosovare do të marrin plot 2400 euro për një vit apo nga 200 euro për çdo muaj për vitin e parë. Ky është zotimi ynë”, ka premtuar i pari i LDK-së.
Ai ka thënë se kanë paraparë mbështetje edhe për çiftet e reja.
“Nuk mund të kemi zhvillim pa familje të forta, nuk mund të kemi shtet pa njerëz që besojnë te shteti, nuk mund të kemi të ardhme pa fëmijë që rriten në qetësi, siguri e mundësi. Prandaj, kemi paraparë mbështetje për çiftet e reja, me mbulim të plotë të interesit për banim të parë. Kemi paraparë përkujdesje të plotë financiare falas, për çdo të porsalindur në Kosovë dhe familjet ku ata gjejnë jetë”, ka shtuar ai.
Për fëmijët nga mosha 2 deri në 16 vjeç, Abdixhiku ka premtuar 40 deri në 50 euro për çdo muaj.
“Kemi paraparë edhe mbështetje financiare për çdo fëmijë në Kosovë, nga mosha 2 deri në 16 vjeçare, nga 40 euro deri në 50 euro secilin muaj për secilin fëmijë në Republikën e Kosovës”, ka shtuar Abdixhiku. /Lajmi.net/