A po shndërrohet pakënaqësia ndaj Speciales në mobilizim shoqëror?

Dënimi me 81 vjet burgim për krime lufte i Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale e Kosovës, në Hagë, u bë shkas i protestave të përnatshme në Prishtinë që nga 16 shtatori. Në kundërshtim të aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, protestuesit po kërkojnë të ndryshohet…

Lajme

03/10/2026 16:13

Dënimi me 81 vjet burgim për krime lufte i Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale e Kosovës, në Hagë, u bë shkas i protestave të përnatshme në Prishtinë që nga 16 shtatori.

Në kundërshtim të aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, protestuesit po kërkojnë të ndryshohet ligji për ato që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara.

Por, a mund të shndërrohen këto protesta në një lëvizje shoqërore?

Sociologia Lura Pollozhani thotë se aktgjykimi i Gjykatës Speciale mund të ketë shërbyer si pikënisje për një pakënaqësi që, sipas saj, ishte akumuluar edhe më herët në shoqëri.

“Mendoj që deri diku është njëfarëlloj traume kolektive se çfarë ndodhi, dhe si u ndje nga qytetarët, mendoj që ajo ishte si pikënisje, një shkrepëse për të ndezur protestuesit dhe qytetarët të dalin në rrugë”, thotë Pollozhani në podkastin 5 pyetje.

Por, sipas saj, ndikuan edhe rrethanat paraprake, me krizën institucionale të stërzgjatur, që nxitën qytetarët të protestojnë.

Ajo thotë se protestat e përnatshme në Prishtinë kanë disa prej elementeve që mund të çojnë drejt krijimit të një lëvizjeje shoqërore, por kjo do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet mobilizimi.

Si aspekt të parë që çon drejt një lëvizje shoqërore, Pollozhani përmend qëllimin e protestës, që në këtë rast thotë se është ndryshimi i ligjit për Specialen.

“E dyta, numri. A ka numra të njerëzve që vijnë ditë për ditë, ose në një masë ritualistike pothuajse, që veç e kemi, por normal nëse kjo vazhdon, mund të lëvizë në lëvizje sociale”, thotë ajo.

Një tjetër element, sipas saj, është vazhdimësia e protestave dhe mënyra se si ato organizohen.

“Të bëjnë, për shembull, edhe peticione, veprime guerile, të vizatojnë ndërtesat, ose të bëjnë protesta të vogla nëpër komuna të ndryshme”, thotë Pollozhani.

Nëse kriza politike në Kosovë thellohet edhe më tej, ajo parasheh që protestuesit ta adresojnë edhe këtë në mesin e kërkesave të tyre.

“Të bëjnë kërkesa të lidhura me krizën. Për shembull: “Edhe këto zgjedhje, edhe më bëhuni seriozë, dhe zgjidhni presidentin, zgjidhni të gjitha”, thotë sociologia.

Pjesëmarrja e të rinjve në protesta

Pjesëmarrja në protesta e brezit të të rinjve, që nuk e kanë përjetuar drejtpërdrejt luftën, sipas Pollozhanit është një element që duhet parë edhe në kontekstin e mënyrës se si kjo gjeneratë e përjeton dhe e mëson të kaluarën e Kosovës.

Ajo thotë se një pjesë e të rinjve po e diskutojnë luftën dhe historinë e saj edhe përmes rrjeteve sociale, ndërsa disa prej tyre po përballen me këto tema për herë të parë.

“Nuk e shoh si diçka të çuditshme që merr pjesë Gjenerata Z. Bile, mendoj që është bash e logjikshme deri diku, se në telefona ne shohim luftë ditë për ditë”, shprehet Pollozhani në 5 pyetje.

Sipas saj, dalja në rrugë është mënyrë se si këta të rinj manifestojnë frustrimin, dhimbjen dhe konfuzionin psikologjik të përditshëm.

Çfarë kanë të përbashkët protestat në Kosovë me ato në rajon?

Pollozhani i lidh protestat në Kosovë edhe me mobilizimet e fundit në vende të tjera të Ballkanit, duke veçuar protestat në Serbi, në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.

Sipas saj, një tjetër element i përbashkët është roli që mund të ketë një ngjarje tronditëse, ose një humbje, në nxitjen e mobilizimit shoqëror.

“Aspekti i humbjes së diçkaje, mendoj që është një katalizator i fuqishëm i lëvizjeve dhe protestave”, thotë ajo.

Sipas Pollozhanit, protestat e studentëve në Serbi përdorën forma të ndryshme të komunikimit për të tërhequr vëmendjen e publikut brenda dhe jashtë vendit, ndërsa në Shqipëri rrjetet sociale kanë ndihmuar në ndërkombëtarizimin e mesazheve të protestuesve.

Në Kosovë, ajo thotë se mobilizimi është përqendruar kryesisht te marrëdhënia me institucionet e vendit dhe te mënyra se si trajtohet e kaluara.

Si po përdoren rrjetet sociale?

Pollozhani thekson se në rastin e Kosovës, platformat online janë përdorur jo vetëm për të bërë thirrje për pjesëmarrje në protesta, por edhe për të rikthyer në qarkullim pamje dhe dëshmi nga lufta.

“Tani është një mënyrë e arkivizimit të luftës që po ndodh në TikTok, në media sociale, në Facebook e të tjera”, thotë ajo.

Ajo veçon edhe mënyrën se si protestat e Gjeneratës Z në vende të ndryshme janë lidhur përmes internetit, dhe janë bërë pjesë e një diskutimi më global për angazhimin politik të të rinjve./Radio Evropa e Lirë/