A do të shitet Juventusi?
Familja e njohur italiane Agnelli nuk ka në plan të shesë aksionet e saj në klubin e futbollit Juventus, por është e hapur për bashkëpunim me investitorë të tjerë. Lajmin e konfirmoi John Elkann, pasardhësi i familjes dhe drejtues i kompanisë Exor, që është aksionari kryesor i klubit torinez. “Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj…
Sport
Familja e njohur italiane Agnelli nuk ka në plan të shesë aksionet e saj në klubin e futbollit Juventus, por është e hapur për bashkëpunim me investitorë të tjerë. Lajmin e konfirmoi John Elkann, pasardhësi i familjes dhe drejtues i kompanisë Exor, që është aksionari kryesor i klubit torinez.
“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj Juventusit dhe jemi krenarë që kemi qenë aksionarët kontrollues për më shumë se një shekull,” tha Elkann për Reuters.
Deklarata e tij vjen pasi kompania e kriptomonedhave Tether bleu më shumë se 10% të aksioneve të Juventusit dhe propozoi dy përfaqësues për bordin drejtues. Me këtë blerje, Tether është bërë aksionari i dytë më i madh pas Exor-it, që zotëron rreth 65% të klubit.
Elkann theksoi se familja Agnelli është e gatshme për bashkëpunim me partnerë që ndajnë të njëjtin pasion për Juventusin.
Klubi ka kaluar periudha të vështira në fushë vitet e fundit dhe së fundmi emëroi Luciano Spallettin si trajner pas shkarkimit të Igor Tudor. “Përparësia jonë mbetet të kombinojmë suksesin sportiv me disiplinë financiare,” shtoi Elkann.
Familja Agnelli dhe Juventus janë të lidhur që nga viti 1923, dhe sipas shumë tifozëve italianë, është e vështirë të imagjinohet klubi pa ta.