A do ta pranojë Rusia propozimin amerikan për armëpushim me Ukrainën?

Për herë të parë që kur presidenti amerikan, Donald Trump, nisi mandatin e dytë në janar dhe nisi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, është Moska – e jo Kievi – ajo që gjendet nën një presion më të madh nga Shtetet e Bashkuara që të tregojë se është e angazhuar…

Bota

13/03/2025 10:42

Për herë të parë që kur presidenti amerikan, Donald Trump, nisi mandatin e dytë në janar dhe nisi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, është Moska – e jo Kievi – ajo që gjendet nën një presion më të madh nga Shtetet e Bashkuara që të tregojë se është e angazhuar për të arritur paqe.

Më 12 mars, zyrtarët amerikanë u nisën drejt Moskës, tha Trump, pasi Ukraina u pajtua me planin amerikan për një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet. Pajtimi u arrit gjatë një takimi të mbajtur në Arabinë Saudite më 11 mars mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas.

Më 13 mars, zyrtarët amerikanë arritën në Rusi për bisedime. Por, a do ta pranojë Rusia propozimin?

Një “jo” e prerë është një mundësi, por çështja nuk do të përfundonte me kaq.

“Ndërsa është e qartë se bastet më të sigurta janë që Rusia do të refuzojë ofertën për një armëpushim, unë nuk do ta përjashtoja këtë çështje kaq shpejt”, shkroi analisti për Rusinë, Sam Greene. “Në varësi të mënyrës se si Moska e sheh trajektoren e politikës evropiane, ajo mund të arrijë në përfundimin se një armëpushim është në interesin e saj.

Në këtë tekst mund të mësoni se cilat janë tri mundësitë:

Refuzim i prerë

Nëse veprimet e Rusisë përputhen me deklaratat publike, refuzimi është skenari më i mundshëm. Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe zyrtarë të tjerë rusë vazhdimisht kanë thënë se ajo që Moska dëshiron nuk është një armëpushim, por një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje që adreson ato që pretendon t’i shohë si “shkaqet thelbësore” të luftës.

Putin nisi pushtimin në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022 me qëllim që të nënshtronte Ukrainën, por këto deklarata sugjerojnë se Rusia mund të mos jetë e përgatitur që të ndalë luftimet derisa të ketë një marrëveshje që do të plotësonte kërkesat e Kremlinit. Moska, veç tjerash, kërkon që të ketë neutralitet ukrainas, tkurrjen e ushtrisë ukrainase dhe ndryshimin e Qeverisë në Kiev, ose të paktën një rrugë të qartë për largimin e presidentit Volodymyr Zelensky.

Rusia po ashtu dëshiron një marrëveshje që shkon përtej Ukrainës, reduktimin e ndikimit të NATO-s në Evropën Lindore dhe që Moskës t’i jepet më shumë ndikim në vendimet e sigurisë që prekin gjithë kontinentin – qëllime që shkojnë përtej kufijve të një armëpushimi të përkohshëm.

Agjencia Reuters, duke u thirrur në dy burime që kanë njohuri për çështjen, raportoi se gjatë takimit në Rusi me zyrtarët amerikanë, Moska do të paraqesë një listë kërkesash për t’i dhënë fund luftës me Ukrainën dhe për të rivendosur raportet me Uashingtonin.

Burimet e Reutersit i përshkruan kushtet e Kremlinit si të gjera dhe të ngjashme me kërkesat që paraprakisht u janë prezantuar Ukrainës, SHBA-së dhe NATO-s. Këto kërkesa përfshinin mosanëtarësimin e Kievit në NATO, një marrëveshje për të mos dislokuar trupa të huaja në Ukrainë dhe njohjen ndërkombëtare të katër provincave ukrainase dhe Krimesë, që Putin pretendon se i takojnë Rusisë.

Lidhur me raportimet se Rusia ka vendosur kushte për bisedime me SHBA-në, Kremlini më 13 mars tha se ka informacione të pasakta për këtë për këtë çështje, por nuk pranoi që t’i komentojë këto raportime, e as t’i konfirmojë.

Por, me forcat ruse që po përparojnë ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme në lindje të Ukrainës, dhe me forcat e Kievit që janë duke u tërhequr në rajonin Kurks të Rusisë, Putini mund të mos shohë arsye për të ndalur luftimet tani.

Konstantin Kosachev, kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus, iu referua hapur kësaj çështjeje më 12 mars, duke thënë se Uashingtoni duhet ta kuptojë që “marrëveshjet e vërteta ende po shkruhen… në vijën e frontit”.

Për më tepër, një refuzim i prerë do të kënaqte blogerët rusë proluftës – për të mos përmendur edhe anëtarët radikalë të rrethit të Putinit – të cilët me gjasë do ta shihnin pranimin e propozimit për armëpushim si dorëzim nga Kremlini.

Pranim pa kushte

Këta faktorë sugjerojnë se një pranim pa kushte nga Rusia për propozimin për armëpushim ka pak gjasa të ndodhë. Faktori tjetër: Nëse është duke e shqyrtuar pranimin e armëpushimit të përkohshëm, Kremlini mund të dëshirojë të vendosë vulën e vet në marrëveshje.

“Çdo marrëveshje… do të jetë sipas kushteve tona e jo amerikane”, shkroi Kosachev në Telegram.

“Po, por…”

Përderisa opsioni i pranimit pa kushte duket se përjashtohet, Rusia “mund të vijë në përfundim se një armëpushim është në interesat e saj”, tha Greene, profesor në Institutin King të Rusisë dhe drejtor për demokracinë në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane. Ai, në një postim, sugjeroi se Putini mund ta pranojë këtë gjë nëse e sheh si mënyrë të mirë për t’iu afruar përmbushjes së qëllimeve të tij.

“Objektivi kryesor i Moskës është sundimi mbi Ukrainën. Në mungesë të mundësisë për ta arritur këtë në fushëbetejë, Rusia mund të jetë e kënaqur – përkohësisht apo ndryshe – për të ushtruar kontroll përmes kërcënimit se do të rinisë agresionin”, shkroi ai. “Një armëpushim mund t’i mundësojë Rusisë një shkallë kontrolli mbi Ukrainën, që ajo e kërkon, për aq kohë sa kushtet nuk krijojë një parandalim të vërtetë ndaj një agresioni të ri”.

Sipas Greene, diskutimet për një dislokim të mundshëm të një force evropiane në Ukrainë mund të luajnë rol në llogaritjet e Moskë.

“Nëse Moska mendon që Evropa është serioze për dërgimin e trupave në terren, ajo mund të pranojë një armëpushim para se Evropa të organizohet dhe pastaj të bëjë mungesën e trupave kusht për ruajtjen e armëpushimit”.

Mark Galeotti, ekspert për Rusinë dhe profesor në Shkollën për Studime Slavonike të Evropës Lindore në Londër, sugjeroi se Putini përballet me një zgjidhje të vështirë.

“Elementët radikalë tashmë po pretendojnë se kjo do të thotë shpërdorim të momentumit që aktualisht ka Rusia” në fushëbetejë, shkroi ai në The Spectator. “Në të njëjtën kohë, refuzimi do të ishte një humbje e një mundësie të jashtëzakonshme që Trumpi u ka dhënë atyre për të konsoliduar fitoret, me një të pestën e Ukrainës që kanë nën kontroll, dhe të paktën pjesërisht të normalizojnë raportet me SHBA-në”.

Putin mund të llogarisë se pranimi i një armëpushimi mund të ndihmojë në zvogëlimin e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, shkroi Galeotti, dhe ai po ashtu mund të shqetësohet se nëse e refuzon, kjo mund të bëjë që Trumpi të marrë një qëndrim shumë më të ashpër ndaj Moskës. Më 12 mars, Trump tha se SHBA-ja mund të vendosë sanksione ndaj Rusisë nëse ajo mbetet e pavendosur, por shtoi se “shpresoj që të mos kemi nevojë për një gjë të tillë”.

Sikurse edhe analistët e tjerë, Galeotti parashikoi se Moska do të vendosë kushte ndaj çdo marrëveshjeje armëpushimi, sikurse është tërheqja ukrainase nga rajoni Kursk i Rusisë, ku forcat e Kievit kanë nën kontroll territor që nga ofensiva befasuese e gushtit të vitit të kaluar, ofensivë që ka turpëruar Putinin.

“Ka mundësi që Putini të tentojë të zgjidhë këtë situatë duke pranuar armëpushimin me kushtin që forcat e Ukrainës në Kurks, që tashmë po tërhiqen, të tërhiqen plotësisht nga territori rus”, shkroi ai.

Sergei Markov, ish-këshilltar i Kremlinit tha se një kusht tjetër i mundshëm do të ishte pezullimi i ndihmës ushtarake perëndimore për Kievin gjatë armëpushimit.

“Përgjigja e Rusisë ndaj propozimit për armëpushim mund të jetë ‘jo’, por ‘po, por’”, shkroi Markov në Telegram. “Kjo do të thotë të pranohet propozimi për një armëpushim 30-ditor me kushtin që të vendoset një embargo ndaj furnizimeve me armë për Ukrainën që do të ishte në fuqi gjatë gjithë kësaj periudhe”.

Më 12 mars, Trump përsëriti se ai shpreson për një përparim të shpejtë për përfundimin e luftës, duke thënë se “nuk duam të humbim kohë, njerëzit po vdesin”.

Por, një përgjigje definitive ruse për propozimin për armëpushim mund të mos vijë aq shpejtë sa SHBA-ja dhe Ukraina do të dëshironin.

“Putin ka të ngjarë që të tentojë të zvarrisë afatin për pranimin e ndonjë ndaljeje të luftimeve në Ukrainë, në mënyrë që të sigurojë kushtet më të favorshme të mundshme për Moskën”, raportoi Bloomberg News më 12 mars, duke cituar disa njerëz që tha se kanë njohuri lidhur me situatën.

“Kremlini nuk ka dhënë asnjë sinjal se është i interesuar për armëpushim dhe në fakt ka shumë tregues që nuk është”, shkroi Greene në X. “Edhe pse e gjithë kjo mund të jetë kërcënim bosh, ata kanë të ngjarë që të përpiqen të shqetësojnë Uashingtonin, si për shpejtësinë por edhe për formën e marrëveshjes”. REL