A do ta ndryshojë presioni amerikan rrjedhën e luftës në Ukrainë?

Pak kohë pasi i dha Rusisë një afat prej dhjetë ditësh për ta ndalur luftën në Ukrainë, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi qartë më 31 korrik se Shtetet e Bashkuara do të “vendosin sanksione” ndaj Moskës për shkak të mungesës së përparimit drejt një armëpushimi apo marrëveshjeje paqeje me Kievin. Në të njëjtën kohë, ai…

Bota

03/08/2025 18:11

Pak kohë pasi i dha Rusisë një afat prej dhjetë ditësh për ta ndalur luftën në Ukrainë, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi qartë më 31 korrik se Shtetet e Bashkuara do të “vendosin sanksione” ndaj Moskës për shkak të mungesës së përparimit drejt një armëpushimi apo marrëveshjeje paqeje me Kievin.

Në të njëjtën kohë, ai tha se nuk është e qartë nëse ndëshkimet financiare do ta shtyjnë presidentin rus, Vladimir Putin, drejt një armëpushimi dhe u tha gazetarëve se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, do të udhëtojë drejt Moskës pas një vizite në Izrael, ku kishte arritur më 1 gusht.

Nëse Trumpi vendos sanksione ndaj Rusisë para ose pas afatit dhjetëditor, që pritet të skadojë më 8 gusht, do të ishte hera e parë që ai do të penalizonte Kremlinin pas më shumë se gjashtë muajsh që kur nisi mandatin e dytë presidencial. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, Trump kishte premtuar se shpejt do të ndërmjetësonte përfundimin e luftës më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Kërcënimi për sanksione të reja vjen teksa Rusia po përparon në fushëbetejë dhe po godet qytetet ukrainase me sulme ajrore, përfshirë një sulm me raketa dhe dronë që vrau të paktën 31 persona – pesë prej tyre fëmijë – në Kiev gjatë kësaj jave. Këto sulme të vazhdueshme Trump i quajti “të neveritshme” gjatë një deklarimi më 31 korrik.

A mund të çojë kjo në një pikë kthese në luftë? Ja çfarë duhet përcjellë me vëmendje.

A do të bëjë Witkoff ndryshimin?

Teksa Trump la të kuptohet se vendosja e sanksioneve tani është e pashmangshme, dërgimi i Witkoffit në Rusi – i cili që nga janari është takuar disa herë me Putinin – mund të jetë përpjekja e fundit për ta shtyrë Kremlinin të lëvizë nga qëndrimet para skadimit të afatit.

Por, gjasat për këtë duken të vogla, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se bisedimet e paparalajmëruara gjatë kësaj jave “me disa njerëz të afërt të Putinit” nuk sollën asnjë përparim “në arritjen e një mirëkuptimi për një rrugë përpara që do të çonte drejt paqes”.

Tri runde bisedimesh të drejtpërdrejta në Stamboll gjatë majit dhe qershorit po ashtu nuk i afruan Rusinë dhe Ukrainën në çështjet kryesore që pengojnë arritjen e një armëpushimi apo të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes.

“Rusia nuk do të bëjë më asnjë lëshim”, tha për Current Time më 1 gusht komentatori politik me seli në Pragë, Ivan Preobrazhensky.

“Kremlini e kuptoi se Trumpi e ka marrë vesh që po e mashtrojnë. Si rezultat, Moska po përgatitet për një prishje të marrëdhënieve – duke u kthyer në formatin që ishte rreth gjashtë muaj më parë, gjatë presidencës së Joe Bidenit”.

Ana tjetër e medaljes: Putin mund ta shohë vizitën e Witkoffit si një mundësi për të bindur Shtëpinë e Bardhë që të tërhiqet nga kërcënimi për sanksione ose të ndryshojë rrjedhën aktuale, duke vendosur një pjesë të madhe të fajit te Kievi për mungesën e përparimit drejt paqes, siç kishte bërë Trumpi deri në javët e fundit, kur nisi të shprehte gjithnjë e më shumë zemërim ndaj Rusisë.

Edhe pse kohët e fundit Trump ka drejtuar kritikat e tij ndaj Moskës, ai ka theksuar gjithashtu se për të arritur një marrëveshje duhen dy palë, dhe se Ukraina duhet të bëjë “atë që duhet bërë” për t’i dhënë fund luftës.

“Të dyja palët, si Rusia ashtu edhe Ukraina, duhet të negociojnë një armëpushim dhe një paqe të qëndrueshme. Ka ardhur koha për marrëveshje”, tha më 31 korrik John Kelley, ushtrues i detyrës së përfaqësuesit të SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Edhe pse Ukraina është pajtuar me një armëpushim të propozuar nga Trumpi, Rusia nuk është pajtuar. Por, Moska mund ta shohë si mundësi këtë që ta shtyjë Uashingtonin për t’i bërë presion Kievit për koncesione.

Çfarë sanksionesh, dhe a do të funksionojnë?

Trump nuk ka treguar saktësisht se çfarë sanksionesh planifikon të vendosë, por ka bërë të qartë se ato mund të përfshijnë “tarifa shumë të ashpra” ndaj vetë Rusisë dhe, siç tha më 28 korrik, “ndoshta… tarifa dytësore” ndaj vendeve që tregtojnë me Moskën.

Të parat, pra tarifat ndaj Rusisë, do të kishin pak ndikim, sipas analistëve, pasi ata argumentojnë se vëllimi i tregtisë SHBA-Rusi është i vogël. Por, tarifat dytësore mund të jenë shumë më domethënëse, sidomos kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin, eksportet më fitimprurëse të Rusisë. Në një intervistë për Fox News Radio, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se eksportet e naftës i sjellin Rusisë “një pjesë të madhe” të të ardhurave.

Megjithatë, ka rreziqe: Kina, India dhe Turqia janë blerësit më të mëdhenj të naftës së papërpunuar ruse dhe gjithashtu ndër klientët kryesorë për produktet e saj të rafinuara. Prandaj, tarifat dytësore mund të ndërlikojnë marrëdhëniet me këto vende.

Ndërkaq, përfitimet nga këto veprime mbeten të pasigurta, pasi Kremlini nuk po jep asnjë shenjë se është i gatshëm të bëjë lëshime, ndërsa Kina duket e painteresuar të heqë dorë nga mbështetja për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Rubio tha se presidenti Trump ka “shumë opsione,” përfshirë sanksionet dytësore ndaj shitjeve të naftës ruse dhe “sanksione sektoriale ndaj sistemit bankar, që do të ishin gjithashtu shumë të fuqishme”.

Por, gjatë deklarimit më 31 korrik, vetë Trump e minimizoi mundësinë që masat ndëshkuese ta bindin Putinin.

“Nuk e di nëse sanksionet e shqetësojnë atë”, tha ai.

A do të tregojë interes Trumpi apo do të tërhiqet?

Përveç sanksioneve, një pyetje thelbësore është nëse Trump do të vazhdojë të tregojë interes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës në muajt në vijim, apo do të tërhiqet, siç ai vetë dhe zyrtarë të tjerë të administratës amerikane kanë sugjeruar vazhdimisht se mund të ndodhë.

Në një moment të caktuar, Trump do të duhet të vendosë “nëse ia vlen të vazhdohen përpjekjet për të arritur armëpushim, nëse njëra nga dy palët nuk është e interesuar për të”, tha Rubio, duke shtuar se “është e qartë se presidenti nuk do të presë në pafundësi”.

Që para zgjedhjes së tij në postin e presidentit, Trump kishte lënë të kuptohej se mund të përdorte një kombinim të sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetjes për Kievin, kryesisht përmes furnizimit me armë, për të shtyrë të dyja vendet drejt një marrëveshjeje të paqes.

Sa i përket çështjes së armëve për Kievin, mbetet e paqartë se sa larg është i gatshëm të shkojë presidenti Trump. Më 14 korrik, kur ai vendosi një afat prej 50 ditësh për paqe – afat që këtë javë e shkurtoi në 10 ditë – ai po ashtu njoftoi për plane për të forcuar arsenalin e Ukrainës, por jo përmes dërgesave të drejtpërdrejta të armëve.

Në vend të kësaj, ai përmendi një marrëveshje, sipas së cilës vendet anëtare të NATO-s do të dërgonin armët ekzistuese, si sistemet raketore Patriot, në Ukrainë dhe më pas do t’i zëvendësonin ato duke blerë armë të reja nga SHBA-ja, ose thjesht do të blinin armë amerikane dhe do t’ia dërgonin ato Kievit.

Por, ka pikëpyetje se sa armë do të arrijnë në Ukrainë në këtë mënyrë në të ardhmen e afërt, dhe sa shpejt do të dorëzohen ato.

Ndërkohë, Trump nuk ka autorizuar ende dërgesa të reja armësh për Ukrainën përmes një programi që ishte përdorur shpesh nga paraardhësi i tij, Joe Biden, e që i jep presidentit të drejtën të dërgojë armë nga stoqet ekzistuese. Kur Trump mori detyrën, ishin rreth 4 miliardë dollarë në Autoritetin Presidencial (PDA).

Çfarë do të ndodhë në fushëbetejë?

Forcat ukrainase kanë bërë pak përparim në fushëbetejë që nga dështimi i kundërofensivës së madhe në vitin 2023. Që atëherë, Rusia ka vazhduar të marrë territore shtesë, megjithëse ka përparuar ngadalë dhe me një kosto të madhe në njerëz.

Kur Trump vendosi afatin 50-ditor më 14 korrik, kritikët paralajmëruan se kjo do t’i jepte Rusisë më shumë kohë për të përparuar edhe më tej, përpara se të përballej me sanksione apo masa të tjera, duke e dobësuar pozicionin e Kievit në çdo bisedim rreth territoreve.

Afati më i shkurtër i ul këto shqetësime dhe analistët thanë se, në çdo rast, Rusia nuk e ka kapacitetin që të marrë në tërësi atë që në mënyrë të pabazuar pretendon se është territor i saj – rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Hersonit, përveç Krimesë – në një të ardhme të afërt.

Megjithatë, deri tani, Rusia nuk ka treguar asnjë shenjë se do të tërhiqet nga përpjekjet për të avancuar në terren dhe nuk ka asnjë tregues se afati i 8 korrikut – apo sanksionet që me gjasë do të pasojnë – do ta ndryshojnë qasjen e saj.

AFP, më 1 gusht, duke cituar një hulumtim që ka kryer, raportoi se Rusia ka lëshuar më shumë dronë ndaj Ukrainës në korrik sesa në cilindo muaj tjetër që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022.

Po atë ditë, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se objektivat e Moskës në këtë luftë mbeten të pandryshuara, ndërsa pohoi se forcat ruse po përparojnë përgjatë gjithë vijës së frontit, pavarësisht, siç e quajti ai, dëshirës së Perëndimit për të ndalur avancimin e tyre.

“Në muajt e ardhshëm, Rusia do ta rrisë presionin ndaj Ukrainës dhe, natyrisht, do të përpiqet të nisë një ofensivë të re para se të nisë i ftohti”, tha Ivan Preobrazhensky për Current Time, rrjetin televiziv në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë.