Asnjë thirrje nga Shqipëria
Adnan Januzaj ka shanse minimale të luajë për Shqipërinë. FSHF nuk e ka kontaktuar asnjëherë atë. Babai i tij, Abedini, ka thënë se skuadra kuqezi ia ka mbyllur dyert vetes për angazhimin e tij. Të dy, babë e bir, folën për Interaktivin në KTV.
Sport
Federata Shqiptare e Futbollit nuk e ka bërë asnjë përpjekje për angazhimin e super talentit kosovar të Manchester Unitedit.
Babai i tij, Abedin Januzaj, ka insistuar se 18-vjeçari nuk ka zhvilluar asnjë kontakt me drejtuesit e FSHF’së rreth angazhimit të tij në Kombëtaren Kuq e Zi.
Në një intervistë dhënë për Interaktivin në KTV, ai ka shpjeguar shumë gjëra.
“Është një fushatë e quajtur Adnan thuaj po Shqipërisë. Këtë dua ta sqaroj se unë deri më tani nuk e kam pasur asnjë ofertë, ose thirrje nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit që së paku të bisedojmë për të. FSHF asnjëherë nuk ka bërë thirrje, por vetëm dezinformata se e kemi kontaktuar Januzajn, ata që kanë thënë se kanë kontaktuar me të po gënjejnë. Dhe, kështu ata i kanë mbyllur dyert vetes”, deklaroi Abedin Januzaj, për emisionin Interaktiv në KTV.
“Madje deklaratat e presidentit të FSHF’së, Armando Duka nuk të japin shpresë se Adnani duhet të luajë për Shqipërinë. Ata ia kanë mbyllur dyert vetes. Nuk mund t’ua mbylli dyert atyre, por ata ia kanë mbyllur vetes sepse kanë bërë dezinformata të çmendura sepse thonë se e kanë ftuar Adnanin edhe në moshën 13-vjeçare dhe kjo është çmenduri”.
“Andaj, këta njerëz sot nuk kanë gjasa të bisedojnë me Adnan Januzajn. Tek unë duhet të vijnë njerëz serioz që vijnë dhe më bëjnë ftesë në mënyrë sportive dhe jo në mënyra të paefektshme. Madje kanë tentuar që nëpërmjet Lorik Canës të mbërrijnë deri tek Adnani”, shtoi ai derisa sqaroi se ende nuk ka asgjë definitive as sa i përket Belgjikës dhe Anglisë që po ashtu kanë konfirmuar interesimin për angazhimin e Januzajt.
Kurse, Kosova mund të jetë opsion për të ardhmen.
“Është një çështje afatgjate pasi Kosova ende nuk është pranuar në asociacione ndërkombëtare por mund të ndodh që Adnani të luaj për ekipin e Kosovës”, vazhdoi ai. E ardhmja e Januzajt pritet të jetë në Manchester United.
“Negociatat kanë filluar para pesë gjashtë muajsh, por jemi në një fazë nuk them përfundimtare sepse ka shumë parametra, por mendoj që nëse çdo gjë shkon në bazë të pajtimit mes të dyja palëve, Adnani ka gjasa të mbetet në United. Për kohëzgjatjen nuk mund të them asgjë por në të ardhmen pasi të marr një vendim do t’ju tregoj”.
“Kurse, ka shumë klube të mëdha evropiane janë të interesuara për të, të vetëdijshme se kontrata e Adnanit do të skadojë në fund të këtij sezoni”, u shpreh Abedin Januzaj, që tregoi se fillimisht ishte përballur me thirrje që të mos ngutet me transferimin e mesfushorit në Manchester United.
“Shumëkush me thoshte se është ende herët që ai të lëviz por unë isha i bindur në kualitetet dhe disiplinën e tij. Mirëpo, e kam marr vendimin që të largohemi në një vend tjetër dhe tani po shihet avancimi që kemi bërë.”
Sir Alex Ferguson ishte pa dyshim i rëndësishëm në angazhimin e Januzajt në Old Trafford.
“Ai ka shfaq interesim për Adnanin, por Adnani i tregoi atij se kam ardhur në Manchester United me vetëm një synim, punën në terren kështu që ai i ka dhënë rëndësi Adnanit që të punoj jashtëzakonisht mirë me të sepse e ka vërejtur se ka diçka më tepër se futbollistët e tjerë dhe Adnani tregoi se është i gatshëm të punoj shumë”.
Përcjellja e ndeshjes në Stadium of Light ku Januzaj realizoi dy gola ka qenë motiv krenarie për Abedin Januzajn.
“Isha në lojë me vëllanë, ai jeton në Belgjikë dhe ka luajtur rol të rëndësishëm për mua dhe Adnanin. Ai më ka ndihmuar shumë për Adnanin, sidomos kur ishte në Anderlecht dhe çdo stërvitje që e kishte ai e përcillte në stërvitje, andaj është një lidhje e ngushtë mes nesh.”
“Unë jam babai i Adnanit dhe në këtë fushë punoj qysh sa kohë dhe isha i kënaqur me golat e tij, por nuk është kjo përfundimtare, ka edhe shumë punë për të bërë. Kemi hyrë në futbollin e vërtetë dhe isha i kënaqur sidomos kur publiku filloi të brohoriste mbiemrin e tij dhe aty isha edhe i emocionuar”, deklaroi Abedin Januzaj, për emisionin Interaktiv në KTV.
Januzaj: Dua të bëhem më i miri në botë
Adnan Januzaj u shpreh i kënaqur me debutimin e tij si titullar në Premierligë, kur realizoi të dy golat për Manchester Unitedin në fitoren 2-1 ndaj Sunderlandit.
“Ishte shumë mirë, prej fillimit kam dashur të luaj për Manchester Unitted dhe më është dhënë rasti të luaj si titullar, shënova dy gola, ka qenë shumë e mirë për mua, familjen dhe tifozët”, deklaroi Januzaj, gjatë një interviste për emisionin Interaktiv në KTV.
Kjo i solli shumë urime dhe lëvdata.
“Të gjithë më kanë uruar, për mua ka qenë shumë e mirë dhe jam gëzuar shumë që shënova dy gola. Kam punuar në ushtrime, Moyes më ka dhënë rastin të luaj si titullar në këtë ndeshje dhe e kam pasur në mendje të shënoj”.
Objektivat e tij të ardhshme janë të lidhura me klubin nga Old Trafford.
“Do ta jap maksimumin për Manchester United, në mënyrë që të bëhem futbollisti më i mirë në botë. Jam i lidhur më ngushtë më Van Persie, Evra, të gjithë janë të mirë, dhe bisedojmë së bashku. Më së shumti mësoi nga Giggs i cili ka luajtur në pozitën time dhe kur ka diçka që dua të di e pyes atë.”
Sa i parket zgjedhjes për ekipin Kombëtar, Januzaj ka pranuar se për këtë do të vendosë babai i tij.
“Sa i përket vendimit rreth Kombëtares, do t’i dëgjoj këshillat e babait. Do ta dëgjoj atë, ai i di të gjitha.”