Dorëheqja e Pashmangshme

Nijazi Idrizi, i cili dha dorëheqje nga të gjitha funksionet e PDK’së, thotë se e mori këtë vendim pasi që nuk kishte hapësirë të mjaftueshme të veprimit politik. Në Degën e PDK’së në Gjilan, sipas tij, pat diferencim politik. Tash, po shikon ku të shkojë.

Lajme

11/10/2013 18:18

Partia Demokratike e Kosovës mbetet me një deputet më pak në Kuvend. Nijazi Idrizi, deputet nga Gjilani, ka bërë të ditur sot se jep dorëheqje nga të gjitha pozitat e kësaj partie.

Idrizi thotë se nuk kishte hapësirë të veprimit politik.

“Ngjarjet në Partinë Demokratike të Kosovës, përkatësisht Degën e PDK’së në Gjilan, rrodhën në atë mënyrë saqë e ngushtuan shumë hapësirën e veprimit tim politik. Prandaj, këtu dhe në kuadër të kësaj dege, (të cilën e kam pasur edhe bazën time të veprimit dhe angazhimit politik), e ndiej vetën të tepërt dhe të panevojshëm”, thuhet në arsyetimin e Nijazi Idrizit.

“Duke marrë parasysh rrethanat objektive dhe subjektive, kam konsideruar të pamundur vazhdimin e aktivitetit tim politik, partiak e institucional në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës”.

Në një prononcim për Kosovapress, Idrizi ka thënë se dorëheqja ishte e pashmangshme, pasi që në zgjedhjet e fundit në Degën e PDK’së në Gjilan kanë ardhur në pah shkelje rregullash.

Ai thotë se për këto shkelje ka ngritur shqetësimet e tij me kohë, por se nuk janë përfillur rregullat e demokracisë.

“Zgjedhje nuk ka pasur në Degën e Gjilanit. Opinioni e pa që edhe në këtë rast pati nominime emrash. Pra, patëm të njëjtit emra përkundër që vullneti i aktivistëve nuk ishte i këtillë si imponoi Qendra. Mund të them që pati diferencim politik”, ka thënë Idrizi për Kosovapress.

Në këtë situatë, ka thënë ai, nuk e ka parë të udhës të vazhdojë më tutje qëndrimin e tij në PDK.

I pyetur nëse prapa këtij vendimi qëndron ndonjë vendim për angazhim në ndonjë subjekt tjetër, Idrizi ka thënë se aktualisht është duke menduar se ku do të mund të vazhdojë angazhimin e mëtutjeshëm politik.

“Ajo që mund të them është ky vendim që e bëra publik. Nga sot nuk jam më pjesë e PDK’së”.