Lojë me fatin

Albin Kurti akuzon AAK’në se i ka në qejf lojërat e fatit por premton se nuk do të lejojë të luhet me fatin e deçanasve. Këto akuza ai i bëri në vendlindjen e Ramush Haradinajt.

Lajme

10/10/2013 14:51

Akuza të rënda janë bërë për partinë e Ramush Haradinajt, në Deçan.

Albin Kurti ka thënë se Vetëvendosje do t’i hapë “arkivat 14 vjeçare të korrupsionit” në Komunën e Deçanit, derisa ka folur në hapjen e fushatës atje, të enjten.

Ai ka thënë se AAK’së i pëlqejnë lojërat e fatit, duke aluduar në praninë e aparateve të kazinove në Shtëpinë e Kulturës të këtij qyteti.

“AAK në përgjithësi i ka në qejf fort lojërat e fatit, por ne nuk mund të lejojmë që të luhet me fatin e qytetarëve të Kosovës dhe qytetarëve të Deçanit”, tha Kurti.

“Me fitoren e Vetëvendosjes, pasuria e paligjshme e pushtetarëve do t’u kthehet qytetarëve”.

“Ne do t’i hapim arkivat e korrupsionit 14 vjeçar këtu në Komunën e Deçanit. Ne jemi ata të cilët çdo korrupsion, çdo shkelje ligjesh e procedure, çdo vjedhje që është bërë, do ta bëjmë publike dhe do ta lirojmë prokurorinë e gjyqësinë që të veprojnë kundër këtyre njerëzve të korruptuar, kundër këtyre që plaçkitën djersën e popullit, dhe t’ia kthejmë popullit pasurinë që është e qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Kandidati i Vetëvendosjes për Kryetar të Komunës, Bilall Hadërgjonaj, u shpreh se që nga paslufta e këtej, të gjitha subjektet politike që garojnë në këto zgjedhje kanë pasur rastin t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme për këtë Komunë, por u ka munguar vullneti, guximi dhe dija.

“Për këtë shkak komuna jonë ka mbetur më e prapambetura në Kosovë, me papunësinë mbi 80%, me bujqësi pa investim, me ekonomi pa prodhim, me arsim pa edukim, me shëndetësi pa shërim, me pronën publike në shkatërrim, dhe me mërgimin i të rinjve pa shpresë punësimi”.

“Me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje do të ndryshohet raporti i qytetarit me të zgjedhurit në nivelin lokal”.

“Asnjë investim kapital nuk do të bëhet pa diskutim publik me qytetarë dhe me grupe të interesit, pastaj këto propozime do t’u përcillen grupeve punuese në Kuvendin Komunal”, tha Hadërgjonaj.