Do të ftojë të votohet “Lista Serbe”

Ivica Dacic pohon se liderët serbë do të shkojnë në Kosovë dhe do të bëjnë thirrje për t’u votuar “Lista Serbe”, por nuk do të marrin pjesë në fushatë. Thotë se askush nuk mund t’ia mohojë të drejtën për të shkuar në Kosovë.

Lajme

09/10/2013 12:35

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se zyrtarët e Serbisë do të shkojnë në Kosovë gjatë periudhës së fushatës zgjedhore si funksionarë të shtetit për t’u bërë thirrje qytetarëve serbë që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për “Listën Serbe”, por nuk do të marrin pjesë në tubime klasike partiake, raporton Tanjug.

Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të Prishtinës pas takimit të Brukselit, Dacic është shprehur se duhet ndarë ajo për të cilën flitet në publik nga ajo që bëhet “për përdorim të brendshëm” dhe ajo që do të ndodhë.

“Nuk më intereson të di se dikush i shpjegon këto. Unë dua të shkoj në Kosovë dhe kjo duhet të më bëhet e mundur dhe pikë”, ka thënë Dacic.

Duke bërë të ditur se do të shkojë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore, Dacic kujtoi se në Bruksel është bërë e qartë se këtë të drejtë nuk mund t’ia mohojë askush.

“Ne si shtet duhet të bëjmë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje, kështu që duhet të marrim pjesë në fushatë. Por, funksionarët shtetërorë nuk do të marrin pjesë në “tubime klasike partiake”, sepse ata shkojnë si funksionarë shtetërorë”, ka thënë Dacic.

Sipas tij, forma është e parëndësishme, ndërsa e rëndësishme është që liderët “të jenë me popullin, në mënyrë që populli të ftohet të dalë në zgjedhje dhe të mbështesë Listën Serbe”.