Vetëvendosjes i vijnë 45 mijë eurot e para

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 45 mijë euro të grumbulluara nga fushata “Dhuro për Ndryshimin”. Kjo është përqindja fillestare, nga 252 mijë euro sa është totali i shumës që ka kërkuar.

Lajme

05/10/2013 17:22

Thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje për ta përkrahur atë financiarisht, qytetarët i kanë përgjigjur me 45 mijë euro. Mbesin edhe 207 mijë për të përmbushur kërkesën e këtij subjekti prej 252 mije euro, të cilën e kishin paraqitur gjatë fushatës propaganduese “Dhuro për Ndryshimin”.

Është i vetmi subjekt politik deri më tani që ka kërkuar ndihmë financiare nga qytetarët që të përballojë shpenzimet në fushatën e zgjedhjeve lokale.

Përfaqësues të Vetëvendosjes me anë të një komunikate për media kanë falënderuar të gjithë kontribuuesit dhe kanë garantuar se të gjitha shpenzimet do të jenë transparente.

“Shumë qytetarë i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për ta mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje në mbulimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore, me bindjen që së bashku mund ta ndryshojmë çdo komunë. Vetëvendosje është inkurajuar nga suksesi fillestar i fushatës ‘Dhuro për ndryshimin’ dhe e falënderon secilin person që tashmë ka dhënë një kontribut, si dhe të gjithë ata që janë zotuar ta bëjnë kontributin në ditët në vijim”.

“Alternativa jonë qeverisëse, kandidatët dhe transparenca jonë e plotë financiare na bëjnë lehtësisht të dallueshëm nga subjektet e tjera, dhe të gjitha këto elemente ndikojnë pozitivisht në këtë fushatë”.

“Informojmë qytetarët se shpenzimet e fushatës tonë janë minimale duke marrë parasysh faktin që Vetëvendosje garon në 32 komuna të Kosovës. Këto shpenzime janë disa herë më të vogla në krahasim me shpenzimet që veç ia kanë nisur të derdhen pa asnjë kursim nga partitë në pushtet në çdo komunë”.