Ratel: Nuk ka procese politike
Jonathan Ratel thotë se në Kosovë nuk ka akuza të motivuara politikisht. Sipas tij, Prokurorisë Speciale nuk i interesojnë ngjarjet politike. Ratel sqaron se përse EULEX nuk mund të kryej hetime edhe jashtë territorit të Kosovës.
Lajme
Shefi i Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Jonathan Ratel, ka thënë se të gjitha akuzat që janë ngritur, nuk janë të motivuara politikisht.
Duke komentuar arrestimin e liderit të Iniciativës Qytetare “SDP”, Oliver Ivanovic, Ratel thotë se nuk mund të komentoj një proces i cili është në vazhdim e sipër, por se, sipas tij, asnjëherë nuk mund të quhet si një proces politik.
“Prokuroria merret me sundimin e ligjit. Neve nuk ka intereson politika. Për ne janë irelevante ngjarjet politike”, ka thënë Ratel për një medium serb.
Pyetjen nëse EULEX është duke i mbajtur anën shqiptarëve, pasi që është duke akuzuar vetëm rastet kur serbët janë fajtorë dhe jo rastet ku ata kanë qenë viktima, Ratel e quan si koment jo të drejtë.
“Ne asnjë rast nuk e bazojmë në baza etnike. Kjo nuk mund të ndodh. Kemi dëgjuar të njëjtat ankesa edhe nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Për ne është shumë e vështirë që ndjekim rastet jashtë kufirit, pasi që nuk kemi kapacitete të mjaftueshme”.
Prokuroria Speciale, sipas Ratel, është duke kaluar nëpër një tranzicion, ku pritet të përfshihen më shumë kuadro vendore.
“Dëshirojmë që shumë nga ato që i kemi arritur, si burimet dhe aftësitë e Prokurorisë Sepciale, ti bartim tek vendorët. Për momentin, ky është qëllimi kryesor, pasi që besoj që ky mision, sado që të jetë i gjatë, nuk do të zgjasë përgjithmonë. Nuk mundem që përgjithmonë të qëndroj në Kosovë”.