Veteranët e Koshares nderojnë Rugovën
Veteranët e luftës së Koshares vunë buqeta lulesh te Shtatorja e Rugovës, në Sheshin e tij në Prishtinë. Thanë se respektojnë vlerat sublime të kombit, përshirë figurën e Presidentit Rugova.
Lajme
Në mëngjes, Zyra për Informim e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ftoi mediat për të mbuluar një ngjarje, e cila kishte në fokus nderimin e figurës së Presidentit Ibrahim Rugova.
Një njoftimin e Zyrës për Informim të LDK’së, saktësisht, thuhej:
“Sot, më 01. 10. 2013, në orën 12:00, deputeti i LDK’së Anton Quni me ushtarët e FARK’ut, do të bëjnë nderime të shtatorja e Presidentit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Zyra për Informim”.
Siç ishte paralajmëruar, Komandanti i “Brigadës 138 Agim Ramdani”, Rrustem Berisha, së bashku ish zyrtarin e lartë të kësaj Brigade, tash deputetin e LDK’së, Antun Quni dhe disa bashkëluftëtarë të tyre, vendosen dy buqeta me lule dhe u përkulën në shenjë nderimi pranë Shtatorës së Presidentit Rugova, në Sheshin që mbanë emrin e tij.
Para mediave, ata u prezantuan, jo si FARK, si siç kishte njoftuar LDK, por si Vetaranë të Luftës së Kosharës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emër të tyre, foli veterani Hysen Berisha, nga kjo Brigadë.
Ai tha se ata janë mbledhur sot para shtatores së Presidentit Rugova për të nderuar veprën dhe vlerat e pakontestueshme të këtij njeriu.
“Jemi mbledhur sot një numër i caktuar i veteranëve dhe stafi komandues i Brigadës 138 “Agim Ramadani” që e ka drejtuar luftën në Koshare që të bëjmë nderimin e lapidarit të vendosur të Presidentit historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.”
“Kjo është një tregues i respektit të përhershëm që do të kemi dhe e kemi treguar deri më tash ndaj vlerave sublime që ka realizuar kombi ynë, përfshirë edhe figurën e pakontestueshme të historisë tonë më të re të Presidentit Rugova dhe vlerave të larta që ka prodhuar kombi ynë siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare që kemi bërë ne.”
Berisha gjithashtu theksoi se edhe në të ardhmen do të përkrahin vlerat që i dedikohen kombit, Atdheut dhe dëshmorëve.