Qeveria do të përkrahë viktimat e dhunës në familje

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vizitoi të mërkurën Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, ku u diskutua për përkrahje nga ana e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për persona që preken nga dhuna në familje.

Lajme

02/04/2014 11:21

Kryeministri u njoftua nga afër me të strehuarit aty, problemet dhe gjendjen nëpër të cilën kalon kjo qendër.

Thaçi tha se në takimin me drejtuesit e kësaj qendre, u diskutua për një linjë buxhetore e cila do t’i ndihmonte këta persona, e siç tha ai edhe implementimi i ligjit për dhunë në familje është i domosdoshëm.

“Diskutuam për krijimin e një linje buxhetore nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe pushteteve lokale për strehimin e grave dhe fëmijëve të cilët janë pjesë e dhunës në familje”, tha kryeministri, raporton KosovaPress.

“Gjithashtu, diskutuam edhe për mundësinë apo mundësitë më të mira për riintegrimin e grave dhe fëmijëve, po u shtrua edhe domosdoshmëria e plotë e implementimit të ligjit për dhunë në familje. Gjithashtu edhe për kompensimin e viktimave. U u diskutua edhe mundësia dhe domosdoshmëria që si preventivë të punojmë edhe më tepër, por në veçanti në edukim”, ka thënë ai.

Thaçi vizitoi edhe viktimat në këtë qendër. Ai i quajti raste të rënda, por që do të punohet maksimalisht për evidentimin e tyre.

Ndërsa Naime Sherifi, drejtoreshë e qendrës, tha se po bëjnë përpjekje që të rrisin kapacitetet për mbikëqyrjen e viktimave të tilla.

“Po mundohemi që ligjet aktuale të cilat ne i kemi në Kosovë t’i aplikojmë, dhe bashkërisht me institucionet, t’i bëjmë sa më funksionale dhe sa më afër qytetarëve të cilët kanë nevojë për to”.

“Ne jemi organizata jo qeveritare, njëra ndër to është kjo ku jeni këtu sot është strehimorja e cila ofron shërbime për viktimat e dhunës dhe trafikimit dhe po mundohemi që t’i rrisim kapacitet dhe të gjitha shërbimet tona të jenë sa më kualitative për qytetarët e Kosovës, për gratë dhe fëmijët në këtë rast”.