Zgjedhjet ngadalësojnë formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe

Formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe pret mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Formimi i qeverive stabile si në Kosovë ashtu edhe në Serbi do t’i krijojë kushtet për këtë Bashkësi, thotë Vladeta Kostic i “Listës Serbe”.

Lajme

22/03/2014 10:01

Një zyrtar i lartë i “Listës Serbe” ka thënë se vonesa në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe është një “lëvizje taktike” para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

“Sot në Prishtinë nuk mund ta gjesh një politikan i cili shkon në Bruksel, ulet në tavolinën e bisedimeve dhe nënshkruan çfarëdo dokumenti që ka të bëjë me komunitetin serb në Kosovë. Si politikan, unë mund t’i kuptoj ata, pasi që nuk duan të humbin poenë, madje edhe ata ultranacionalistët, dhe të tillë ka mjaft në Kosovë”, ka thënë Kryetari i Listës Serbe, Vladeta Kostic për RTK 2.

Edhe Ministri për Kthime dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtic, mendon se zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë ngadalësojnë formimin e kësaj bashkësie komunash, për të cilën Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Dacic, ishin pajtuar në marrëveshjen e prillit të vitit të kaluar.

“Ligji të cilin duhet ta miratojë Kuvendi i Kosovës për themelimin e BKS-së po e vonon themelimin e Bashkësisë, ndërsa miratimi i këtij ligji pritet të bëhet nga përbërja e re e Kuvendit”, ka thënë ministri Jevtic.