Marrëdhëniet tona shembull për rajonin
Presidentja Atifete Jahjaga, thotë se Kosova dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim shumë të mirë në fusha të ndryshme dhe vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve shërbejnë si shembull për rajonin.Bushati angazhohet për të intensifikuar marrëdhëniet mes vete.
Lajme
residentja e Kosovës,Atifete Jahjaga priti sot në takim ministrin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin bisedoi për proceset nëpër të cilat po kalojnë të dyja vendet, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe ndihmën që mund t’i japin njëra tjetrës në procesin e përafrimit me BE’në.
Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në fusha të ndryshme dhe vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve shërbejnë si shembull për rajonin.
Presidentja Jahjaga theksoi që i gjithë rajoni i Ballkanit ka hyrë në një fazë të re të integrimit dhe bashkëpunimit fqinjësor dhe Kosova e Shqipëria, si faktorë paqeje dhe stabiliteti luajnë një rol të rëndësishëm në rajon.
Presidentja Jahjaga tha se të dyja vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe posaçërisht në procesin e integrimeve evropiane.
Presidentja Jahjaga tha se viti 2014 është i një rëndësie të veçantë për realizimin e vizionit për një Kosovë të qëndrueshme dhe të vendosur për të ndërmarrë të gjitha reformat që e përafrojnë me qëllimin parësor të integrimit euro-atlantik.
Ajo tha se Kosova i ka edhe dy procese të rëndësisë së veçantë për përmbylljen e konsolidimit shtetëror dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar: procesin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit, në veçanti shtimin e njohjeve dhe themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati shprehu përkushtimin e vendit të tij për të intensifikuar marrëdhëniet në mes dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, posaçërisht në fushën e ekonomisë.
Ai tha se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.