Hashim Thaçi: Mësuesit meritojnë më shumë

Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Gjakovën me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit. Së bashku me Mimoza Kusari-Lilën, ai shpërndau mirënjohje për mësuesit e shkollave të kësaj komune.

Lajme

07/03/2014 12:37

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë sot ndarjen e mirënjohjeve për mësuesit me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

Thaçi qëndroi sot në Gjakovë, ku së bashku me Kryetaren e këtij qyteti, Mimoza Kusari-Lila, ka vizituar shkollat fillore.

Me këtë rast, Kryeministri Thaçi ka thënë se kjo është ditë e veçantë. Ai pohoi se për figura e mësuesit është e respektuar gjithmonë në shoqërinë tonë.

Thaçi ka thënë se arsimtarët meritojnë shumë, ngase kanë ditur që të punojnë me dashuri me nxënësit e studentët edhe në kushtet ekstreme të shtëpive private, duke pasur gjithë atë angazhim të jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh gjithë atë sakrificë, por edhe vështirësitë që janë ballafaquar.

Ndërsa, Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se me angazhimin e tyre të përbashkët, Gjakova do të jetë qendër e arsimit në vend.

Kryeministri Thaçi, ministri Ramë Buja dhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ndanë mirënjohjet për mësimdhënësit e parë të Gjakovës.

Ceremonia u mbajt në ndërtesën muze të shkollës së parë shqipe në Gjakovë.