A do të votohen liderët në listat zgjedhore?

Grupi Punues i Reformës Zgjedhore pritet të vendosë të hënën nëse do të votohet apo jo për liderët e partive në listat e hapura, gjatë zgjedhjeve. PDK dhe LDK përkrahin këtë ide, ndërsa partitë tjera opozitare dhe një pjesë e shoqërisë civile e kundërshtojnë.

Lajme

22/02/2014 21:25

Në kuadër të Grupit Punues të Reformës Zgjedhore pritet që të hënën të vendoset nëse do të ketë një konsensus në mes të partive politike që të mos votohet fare për liderët e subjekteve politike në lista të hapura, gjatë zgjedhjeve nacionale.

Dy partitë më të mëdha në vend LDK dhe PDK, siç raporton Radio Kosova, janë pajtuar për një gjë të tillë, ndërsa këtë e kanë kundërshtuar partitë tjera opozitare dhe një pjesë e shoqërisë civile.

Sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Behar Selimit, nuk bie ndesh me Kushtetutën nëse nuk votohen liderët.

“Largimi i liderëve nga konkurrenca në raport me kandidatë tjerë për deputetë i bën mirë edhe procesit të votimit. Brenda partisë është kryetari më i votuari nga anëtarësia, ndërkohë që në raport me qytetarët ata nëse duan të votojnë partinë e dinë që kryetari është i zoti i shtëpisë”, ka thënë ai për Radio Kosovën.

Deklarat e Selimit qëndrojnë në vijë të njëjtë me ato të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashit, i cili mendon se kjo lehtëson zgjedhjet brenda partisë.

“Kjo nuk është aspak kundërligjore, sepse po zbatohet edhe në nivel lokal. Votohet për partinë dhe votën e partisë e merr lideri. Kjo është ideja”.

Në anën tjetër, këtë Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka ka dalë kundër kësaj ideje.

“Së pari, nëse ne i mundësojmë një kandidati që të zgjidhet pa u votuar, ne i kemi krijuar gjysmë listat e hapura jo të hapura plotësisht” .

“Elementi tjetër është legjitimiteti dhe diskutueshmëria se sa ky kandidat e vlen apo mund të jetë në institucionet përgjegjëse, pa u votuar, apo pa iu nënshtruar procesit të votës së popullit që shkel edhe të drejtat e njeriut për zgjedhje të lirë dhe të barabartë”.

Sido që të jetë përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë paralajmëruar se nëse kjo futet në draftligj ose nëse kalon në Parlament, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.