“Gruan e vrava, edhe juve kam me ju vra” – Gjykata jep detaje se si ndodhën vrasjet në Livoç, një muaj paraburgim për Valon Ramushin
Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Valon Ramushit, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Nafija N.B., dhe vëllait të saj, E.B., në një ngjarje të rëndë që ndodhi më 9 tetor në Livoç të Ulët të Gjilanit. Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ndodhi rreth orës 14:21. Ramushi dyshohet se…
Lajme
Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Valon Ramushit, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Nafija N.B., dhe vëllait të saj, E.B., në një ngjarje të rëndë që ndodhi më 9 tetor në Livoç të Ulët të Gjilanit.
Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ndodhi rreth orës 14:21. Ramushi dyshohet se fillimisht e qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij, e cila ndodhej në ulësen e përparme të veturës, me një armë të tipit Beretta.
Më pas, sipas përshkrimit të gjykatës, ai u kthye në një rrugë tjetër, ku ndodheshin vëllai i bashkëshortes së tij dhe dy persona të tjerë. Ata po e ndiqnin me një pikap, me shpresën që të bisedonin me të.
Gjykata bën të ditur se Ramushi doli nga vetura me armë në dorë dhe u tha: “Unë jetën e humba se gruan e vrajta, edhe juve kam me ju vra”.
Pas kësaj, ai dyshohet se shtiu me armë në drejtim të tyre. Sipas gjykatës, R.B. arriti të largohej, ndërsa M.B. u plagos dhe u largua në oborrin e një shtëpie. Vëllai i Nafijes, E.B., nuk arriti të ikte dhe dyshohet se u vra nga të shtënat me armë.
Pas ngjarjes, Ramushi dyshohet se e drejtoi veturën, ku ndodhej trupi i bashkëshortes së tij, deri në oborrin e Emergjencës së Spitalit Rajonal në Gjilan, ku e la atë. Më pas, ai u dorëzua në polici.
Gjykata ka caktuar ndaj tij një muaj paraburgim, nën dyshimin për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Kundër këtij vendimi lejohet ankesë. /Lajmi.net/