Ku po shfaqet më shpesh kanceri në Kosovë? Onkologu veçon disa zona dhe tregon faktorët e rrezikut

Obiliqi, Hani i Elezit dhe Mitrovica janë ndër zonat që janë veçuar në diskutimin me Onkolugun Ilir Kurtishi, për shpërndarjen e rasteve të kancerit në Kosovë, veçanërisht të kancerit të mushkërive. Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Dr. Ilir Kurtishi, në intervistën për emisionin “Shëndeti Sot”, të KosovaPress, ka folur për dallimet që vërehen…

Lajme

11/10/2026 15:40

Obiliqi, Hani i Elezit dhe Mitrovica janë ndër zonat që janë veçuar në diskutimin me Onkolugun Ilir Kurtishi, për shpërndarjen e rasteve të kancerit në Kosovë, veçanërisht të kancerit të mushkërive.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Dr. Ilir Kurtishi, në intervistën për emisionin “Shëndeti Sot”, të KosovaPress, ka folur për dallimet që vërehen në zona të ndryshme të vendit dhe për faktorët që mund të ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve malinje.

Kurtishi përmendi Obiliqin, Hanin e Elezit dhe Mitrovicën në kontekstin e rasteve të kancerit, duke e lidhur diskutimin me faktorët mjedisorë, përfshirë ndotjen. Sipas tij, në këto raste duhet të merret parasysh ndikimi i faktorëve të ndryshëm, pasi kanceri nuk ka vetëm një shkaktar.

“Për shembull nga Obiliqi ose nga Hani i Elezit, kur kemi disa forma të rralla të kancerit të mushkërive, të cilët lajmërohen pak më shpesh, ose regjioni i Mitrovicës. Pastaj regjioni i Dukagjinit, te tumoret e mushkërive për shembull, shpesh tumoret të cilat lidhen me ndotje, e njëjtë edhe në Obiliq, në Hani i Elezit, format pak më të veçanta të këtyre sëmundjeve. Të mushkërive. Dhe janë pak më të shpeshta. E mushkërive vetëm ka raste kur janë edhe disa forma të tumoreve të elementeve të gjakut që lidhen me ndotës të ndryshëm të cilët mund të jenë faktorë ose provokatorë të këtyre sëmundjeve. Po gjithsesi faktorët etiologjikë të sëmundjeve, meqenëse sëmundja është multifaktoriale, ajo duhet të ndërlidhen shumë këta faktorë që bëhen bashkë, pastaj të shkaktojnë dëmtimin e qelizave dhe shfaqjen e një sëmundje. në Prishtinë dominon, meqenëse është numri më i madh i pacientëve që janë në Prishtinë, dominon sipas edhe incidencës së sëmundjeve malinje në Kosovë, pra dominon kanceri i gjirit te femrat dhe kanceri i mushkërive te meshkujt, dhe kjo lidhet së pari, fillimisht me abuzimin me duhan, meqenëse shumica e këtyre rasteve janë konsumatorë të duhanit kronik….”, tha ai.

Onkologu theksoi se ndotja e ajrit, tymi, puna në ambiente të pasigurta, ekspozimi ndaj substancave të ndryshme, por edhe faktorët individualë dhe gjenetikë, mund të kenë rol në zhvillimin e sëmundjeve malinje.

Megjithatë, Kurtishi nënvizoi se për të përcaktuar me saktësi lidhjen mes një rajoni të caktuar dhe numrit të rasteve me kancer nevojiten të dhëna të plota epidemiologjike dhe analiza profesionale.

Kanceri i mushkërive, ndërkohë, mbetet një prej llojeve më të shpeshta të kancerit që trajtohet në Klinikën e Onkologjisë.

Kurtishi ka bërë thirrje për më shumë kujdes ndaj faktorëve të rrezikut dhe për diagnostikim sa më të hershëm të sëmundjeve malinje.