Vetëvendosje e quan joserioze nismën e AAK’së

Dardan Molliqaj thotë për Vetëvendosjen nisma e AAK’së për rrëzimin e Qeverisë Thaçi nuk është e sinqertë dhe serioze. Asaj i ngjan me iniciativën e dikurshme të AKR’së për t’i bërë favor Qeverisë në rrëzim.

Lajme

14/02/2014 18:08

Lëvizja Vetëvendosje mendon se iniciativa e AAK’së për të rrëzuar Qeverinë e Hashim Thaçit nuk është e sinqertë dhe nuk është serioze.

Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka thënë për Kosovapress se subjekti i tij politik do të përkrahte një iniciativë të tillë, sikur ajo të buronte nga koordinimi i gjithë spektrit politik opozitar.

Për më tepër, Molliqaj e quan AAK’në një opozitë formale.

“Kjo iniciativë është iniciativë e një subjekti politik i cili formalisht ka qenë në opozitë, por përmbajtësisht ka qenë në pozitë. Është subjekti i cili ia ka vazhduar jetën Qeverisë Thaçi dhe e ka mbështetur atë në projekte kapitale të dëmshme për vendin tonë, siç janë negociatat, dialogu, pastaj çështja e privatizimeve”.

“Për të mbështetur ose jo një iniciativë të tillë, ajo duhet të jetë iniciativë e opozitës, pra jo iniciativë e opozitës formale që është pozitë përmbajtësore. Dhe duhet të vije nga një takim i përbashkët i forcave opozitare, ku do të koordinoheshim paraprakisht, për datat dhe hapat konkretë deri te rrëzimi i Qeverisë”.

Molliqaj ka thënë se kjo iniciativë i ngjan shumë iniciativës së AKR’së në vitin 2010, ku me ndihmën e vetë Qeverisë u rrëzua Qeveria.

Tutje, duke folur për Kosovapress, Dardan Molliqaj ka thënë se Qeveria nuk duhet të rrëzohet vetë, por duhet ta rrëzojë opozita.

Ai thotë se kur të dalë një iniciativë e koordinuar nga opozita, Vetëvendosje do ta mbështesë.

“Ajo që neve na duket nga kjo iniciativë është që i ngjason shumë iniciativës së AKR’së së vitit 2010, kur ia mundësoi ta rrëzojë vetveten Qeveria Thaçi në atë kohë.”

“Mendojmë që kjo iniciativa e AAK’së nuk është shumë e sinqertë dhe nuk është shumë serioze”.

“Do të duhej të ishte një iniciativë e përbashkët, e gjithë spektrit politik opozitar, për të cilën ne do të ishim gati. Sepse, ne mendojmë që duhet të rrëzohet Qeveria Thaçi, ne mendojmë që ajo nuk duhet ta rrëzojë veten, por duhet ta rrëzojë opozita, dhe kur të kemi një iniciativë të tillë sigurisht që do të jemi gati ta mbështesim dhe të koordinohemi me të tjerët”, ka thënë Dadran Molliqaj për Kosovapress.