“Përmes Kosovës, me destinacion përfundimtar…” – 136 kilogramë marihuanë në Kaçanik, Prokuroria ndalon tre persona për 48 orë, një ende në arrati
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë dhënë detaje të reja lidhur me aksionin e zhvilluar në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të Doganajt të Kaçanikut, ku u sekuestruan rreth 136 kilogramë marihuanë dhe u arrestuan tre persona të dyshuar. Në një komunikatë të përbashkët, këto dy institucione kanë bërë të ditur se…
Lajme
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë dhënë detaje të reja lidhur me aksionin e zhvilluar në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të Doganajt të Kaçanikut, ku u sekuestruan rreth 136 kilogramë marihuanë dhe u arrestuan tre persona të dyshuar.
Në një komunikatë të përbashkët, këto dy institucione kanë bërë të ditur se aksioni është realizuar të premten, në kuadër të planit taktik të koduar “Kufiri 2”, pas hetimeve intensive të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndërkohë, institucionet kanë bërë të ditur se një person tjetër, i dyshuar për përfshirje në këtë rast, ndodhet në arrati.
Detaje të tjera janë bërë të ditura edhe lidhur me dyshimet për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë rast. Policia dhe Prokuroria kanë konfirmuar se ekzistojnë dyshime për përfshirjen e tij dhe se ndaj tij po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.
Sipas hetimeve fillestare, të dyshuarit janë shtetas të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ata dyshohet se kishin organizuar transportimin e marihuanës nga Shqipëria, përmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.
Policia dhe Prokuroria kanë bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit, identifikimit të të gjithë personave të përfshirë dhe ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme ligjore./lajmi.net/