Burri i Albulena Haxhiut akuzohet nga komuna e Prishtinës se nuk po e lejon vendosjen e një murali kushtuar Nënë Terezës në objektin e Ministrisë së Ekonomisë

Drejtori në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri, ka akuzuar Ministrinë e Ekonomisë se po pengon vendosjen e një murali kushtuar Nënë Terezës në objektin e kësaj ministrie, në qendër të kryeqytetit. Retkoceri ka pretenduar se pengesat po vijnë nga niveli qendror, konkretisht nga këshilltari i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Alban Krasniqi, transmeton lajmi.net.. Gjatë…

Lajme

27/11/2026 18:13

Drejtori në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri, ka akuzuar Ministrinë e Ekonomisë se po pengon vendosjen e një murali kushtuar Nënë Terezës në objektin e kësaj ministrie, në qendër të kryeqytetit.

Retkoceri ka pretenduar se pengesat po vijnë nga niveli qendror, konkretisht nga këshilltari i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Alban Krasniqi, transmeton lajmi.net..

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarin Vehbi Kajtazi, ai ka deklaruar se moslejimi i vendosjes së muralit po bëhet për arsye politike, ndonëse, sipas tij, projekti ka marrë të gjitha pëlqimet e nevojshme nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

“Po e pengon niveli qendror, në këtë rast ministria, bukfalisht këshilltari i ministres Artane Rizvanolli, burri i kryetares së Kuvendit Albulena Haxhiu, Alban Krasniqi. Me urdhër politik s’po e lejon vendosjen e një projekti artistik që i ka kaluar të gjitha pëlqimet në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, ka deklaruar Retkoceri.

Ai ka bërë të ditur se murali është paraparë si dedikim për Nënë Terezën, në kuadër të shënimit të festës së 28 Nëntorit.

Sipas Retkocerit, për realizimin e projektit janë siguruar të gjitha dokumentet e nevojshme, ndërsa ka pretenduar se përveç pengesave institucionale, ka pasur edhe presion mbi organet e rendit dhe Policinë.

“Murali është dedikim për Nënën Terezë, që po pengohet me urdhër politik e me presion mbi policinë”, ka thënë ai.

Deri më tani, në deklaratat e paraqitura nuk është përfshirë qëndrimi i Ministrisë së Ekonomisë lidhur me akuzat e drejtorit të Komunës së Prishtinës./lajmi.net/