Vra*ja për parking në Suharekë: Policia e konfirmon se Rrahman Hoti nuk ishte ekstraduar nga Zvicra në Kosovë

Rrahman Hoti, rreth 60-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e Sylë Dakajt në Suharekë, nuk ishte ekstraduar nga Zvicra në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës në një përgjigje për lajmi.net. Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkimin e automjeteve.…

Lajme

19/11/2026 20:20

Rrahman Hoti, rreth 60-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e Sylë Dakajt në Suharekë, nuk ishte ekstraduar nga Zvicra në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës në një përgjigje për lajmi.net.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkimin e automjeteve.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, Hoti dyshohet se ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të Sylë Dakajt, rreth 59-vjeçar, i cili më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.

Lidhur me këtë të kaluar penale, lajmi.net i është drejtuar Policisë së Kosovës për të kuptuar nëse Hoti ishte ekstraduar nga Zvicra në Kosovë.

“Lidhur me interesimin tuaj u njoftojmë se për personin në fjalë, nuk ka pasur proces ekstradimi nga Zvicra për në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e DPP-së për lajmi.net.

“E goditi me veturë dhe me shufër metalike deri në vr*asje” – Detaje nga rasti ku Rrahman Hoti e kishte vr*arë gruan e tij në 2011-tën në Zvicër

Në vitin 2011, Hoti kishte vrarë gruan e tij në St.Gallen të Zvicrës.

Ngjarja kishte ndodhur saktësisht më 8 nëntor 2011, në afërsi të vendit të punës së gruas, me të cilën ai jetonte i ndarë. Për këtë vepër penale, Hoti ishte dënuar me 19 vite burgim nga Gjykata e Qarkut në St.Gallen.

Siç raportohej asokohe nga mediat zvicerane, një shtetas kosovar, i identifikuar me inicialet R.H ishte dënuar në maj të vitit 2013 me 19 vite burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Sipas aktakuzës, ai e kishte pritur bashkëshorten dhe e kishte goditur me veturë nga pas. Më pas, kishte nxjerrë nga bagazhi një shufër hekuri dhe e kishte goditur disa herë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.

Përpos kësaj thuhet se gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, ai kishte kërcënuar edhe një punëtor të rrugës, i cili kishte tentuar t’i ofronte ndihmë viktimës.

Po ashtu përgjatë zhvillimit të procesit gjyqësorë në këtë rast, kryetarja e trupit gjykues e kishte cilësuar veprën si jashtëzakonisht brutale dhe gjakftohtë. Sipas gjykatës, vrasja ishte planifikuar dhe ishte motivuar nga zemërimi e hakmarrja, pasi bashkëshortja kishte refuzuar të kthehej tek ai dhe kishte nisur një lidhje të re.

“Ju e keni konsideruar veten zot të jetës së bashkëshortes suaj”, i ishte drejtuar gjyqtarja të dënuarit gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Gjykata kishte vendosur gjithashtu që dy fëmijët e çiftit të merrnin nga 35 mijë franga zvicerane si kompensim për dhimbjen e shkaktuar nga humbja e nënës. Avokati i tyre kishte deklaruar gjatë gjykimit se të dy fëmijët dëshironin që babai i tyre të qëndronte sa më gjatë në burg./Lajmi.net/