Nga Haga në Prishtinë për disa orë, çfarë ndodhi gjatë vizitës së Jakup Krasniqit?

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, të mërkurën u kthye nga Haga në Kosovë për një vizitë humanitare, pas gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij. Pas rreth gjashtë vjetësh, Krasniqi u rikthye në shtëpinë e tij në Prishtinë, ku qëndroi për disa orë pranë familjarëve.…

Lajme

18/11/2026 23:22

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, të mërkurën u kthye nga Haga në Kosovë për një vizitë humanitare, pas gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Pas rreth gjashtë vjetësh, Krasniqi u rikthye në shtëpinë e tij në Prishtinë, ku qëndroi për disa orë pranë familjarëve. Takimi u përcoll me emocione dhe gëzim, ndërsa vizita u zhvillua nën përcjelljen e zyrtarëve të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.

Kërkesa për këtë vizitë ishte miratuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa gjatë qëndrimit të tij në shtëpi sigurinë e kanë mbikëqyrur zyrtarët policorë.

Megjithatë, jo të gjithë familjarët patën mundësi ta takonin. Vëllai i tij, Daut Krasniqi, tregoi se nuk iu lejua hyrja në shtëpi, me arsyetimin se mund të prishej rendi.

“Nuk më lanë me pa, thanë prishet rendi, unë s’jam për me prish…”, deklaroi ai.

Daut Krasniqi foli edhe për pritjet e familjes lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit, pas dënimit të vëllait të tij nga shkalla e parë.

“Po çka jemi tu ba na qitash, hajt çka me sa bonëm me qit vendimin qitash, qaq…”, u shpreh ai.

Kjo është vizita e dytë e Jakup Krasniqit në Kosovë që nga dërgimi i tij në Hagë. Vizitën e parë e kishte realizuar në vitin 2024, në Negrovc, pas vdekjes së vëllait të tij.

Krasniqi, së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, është dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale me 25 vjet burgim.

Vizita e së mërkurës i mundësoi atij të qëndronte për disa orë pranë familjes, në një periudhë të vështirë shëndetësore për bashkëshorten e tij./lajmi.net/