Komuna e Kamenicës i blenë 15 klima, sa para i shpenzoi?
Komuna e Kamenicës ka nënshkruar një kontratë publike me kompaninë „Offishop Group SH.P.K.“ me seli në Gjilan, për furnizimin dhe montimin e pajisjeve të klimatizimit. Kontrata, e cila mban numrin e identifikimit 653-26-8126-1-3-6/C858, është nënshkruar më 11 nëntor 2026 dhe kap vlerën totale të prerë prej 5,800.00 euro, ku përfshihet TVSH-ja, transmeton lajmi.net. Sipas marrëveshjes,…
Lajme
Komuna e Kamenicës ka nënshkruar një kontratë publike me kompaninë „Offishop Group SH.P.K.“ me seli në Gjilan, për furnizimin dhe montimin e pajisjeve të klimatizimit.
Kontrata, e cila mban numrin e identifikimit 653-26-8126-1-3-6/C858, është nënshkruar më 11 nëntor 2026 dhe kap vlerën totale të prerë prej 5,800.00 euro, ku përfshihet TVSH-ja, transmeton lajmi.net.
Sipas marrëveshjes, dorëzimi dhe montimi i pajisjeve do të realizohet në bazë të kërkesave nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA).
Përmes këtij tenderi parashihet sigurimi i gjithsej 15 kondicionerëve modernë të tipit Inverter Smart për ngrohje dhe ftohje, të cilët përfshijnë klasën e energjisë A+++/A++, gaz R32, lidhje Wi-Fi, funksionim në temperatura ekstreme nga -30°C deri në +53°C, si dhe gypa bakri e kabllo rryme prej 5 metrash.
Më konkretisht, kontrata përfshin 10 copë kondicionerë 12 BTU me çmim njësi prej 330 eurosh dhe vlerë totale 3,300 euro, si dhe 5 copë kondicionerë 18 BTU me çmim njësi prej 500 eurosh dhe vlerë totale 2,500 euro.
Në Kushtet e Veçanta të Kontratës specifikohet se furnizuesi obligohet që të gjitha klimat t’i montojë brenda një afati prej 15 ditësh nga data e pranimit të urdhërblerjes nga menaxheri i kontratës.
Pajisjet vijnë me një garancion 3-vjeçar, ndërsa procesi i dorëzimit, paketimit, montimit, inspektimit dhe testimit deri në finalizim të plotë do të bëhet nën praninë dhe në pajtim me menaxherin e kontratës.
Pagesa e plotë prej 5,800 eurosh do të ekzekutohet pas pranimit të mallit nga menaxheri, brenda afatit ligjor prej 30 ditësh kalendarike.
Dokumenti është zyrtarizuar me nënshkrimet e zyrtarit përgjegjës të prokurimit në Komunën e Kamenicës, Urim Thaqi, dhe drejtorit të kompanisë „Offishop Group SH.P.K.“, Hekuran Neziri./lajmi.net/