Nisin punimet e Asamblesë Rajonale të Frankofonisë: Kosova përfaqësohet nga këta dy deputetë
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës po merr pjesë në punimet e Sesionit të 38-të të Asamblesë Rajonale për Evropën të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), që po mbahet me temën “Evropa, përmes vlerave, gjuhëve dhe kulturave”. Sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, delegacioni përbëhet nga deputeti Nezir Kraki, në cilësinë e kryesuesit, dhe deputetja Eliza…
Lajme
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës po merr pjesë në punimet e Sesionit të 38-të të Asamblesë Rajonale për Evropën të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), që po mbahet me temën “Evropa, përmes vlerave, gjuhëve dhe kulturave”.
Sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, delegacioni përbëhet nga deputeti Nezir Kraki, në cilësinë e kryesuesit, dhe deputetja Eliza Hoxha, anëtare, transmeton lajmi.net.
Punimet kanë nisur me Takimin e Kryetarëve të Seksioneve Evropiane të APF-së, ndërsa të enjten do të vazhdojnë me seancën plenare në Parlamentin Evropian.
Ndërkaq, më 20 nëntor, diskutimet do të zhvillohen në Parlamentin e Federatës Wallonie-Bruxelles (PFWB), ku në fokus do të jetë Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijës, me temën “Mekanizmat e solidaritetit në Evropë”.
Në këtë sesion pritet të trajtohen çështje që lidhen me dialogun parlamentar, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet seksioneve evropiane të APF-së, me theks të veçantë në vlerat e përbashkëta, diversitetin gjuhësor e kulturor dhe solidaritetin evropian.
Kuvendi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë ka statusin e anëtarit të asociuar, me të drejtë vote./lajmi.net/