Administrativja refuzon kërkesën e Blerim Isufajt për pezullimin e vendimit të KPK-së me të cilin u largua nga pozita e Kryeprokurorit

Gjykata Administrative me aktvendimin e 6 nëntorit 2026, ka refuzuar në tërësi kërkesën e paditësit/propozuesit Blerim Isufaj, me të cilën kishte kërkuar të caktohet masa e sigurisë dhe të pezullohet zbatimi i vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte largur nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së…

Lajme

18/11/2026 12:34

Gjykata Administrative me aktvendimin e 6 nëntorit 2026, ka refuzuar në tërësi kërkesën e paditësit/propozuesit Blerim Isufaj, me të cilën kishte kërkuar të caktohet masa e sigurisë dhe të pezullohet zbatimi i vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte largur nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

KPK-ja në mbledhjen e 2 tetorit 2026, largoi nga pozita e Kryeprokurorit të PSRK-së, Isufajn.

Isufaj kishte kërkuar të vendoset masa e sigurisë deri në vendosjen e formës së prerë për padinë dhe të urdhërohet KPK-ja që për kohëzgjatjen e masës t’ia mundësojë atij ushtrimin e papenguar të funksionit të Kryeprokurorit të PSRK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimit, Isufaj po ashtu kishte kërkuar që Këshilli të mos shpallë konkurs dhe të mos emërojë Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale.

Gjithashtu, kishte kërkuar që vendimi i Këshillit për caktimin e Dren Pacës si U.D Kryeprokuror në PSRK, të mos provojë efekt juridik për kohëzgjatjen e masës. T’i dorëzohet aktvendimi kryesuesit të Këshillit dhe të obligohet që për përmbajtjen e tij ta njoftojë menjëherë Prokurorinë Speciale dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Dhe të paralajmërohet KPK-ja që në rast të moszbatimit të aktvendimit, të sanksionohet.

Por, Gjykata Administrative e refuzoi kërkesën si të pabazuar.

Sipas vendimit, procedura në këtë konflikt administrativ do të vazhdojë sipas rregullave të procedurës së konfliktit administrativ dhe sipas planit të punës së gjyaktës.

Në vendim sqarohet se paditësi Blerim Isufaj më 30 tetor 2026 ka parashtruar padi kundër të paditurit/kundërpropozuesit- Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke kërkuar anulimin e vendimit për largimin e tij nga detyra e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, si dhe caktimin e masës së sigurisë.

Aty thuhet se në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, Isufaj ka kërkuar që të pezullohet vendimi i Këshillit, i datës 2 tetor 2026 (për largimin e tij nga pozita e Kryeprokurorit) deri në vendosjen e formës së prerë për padinë.

Më tej, thuhet se Isufaj kishte kërkuar të urdhërohet KPK-ja që për kohëzgjatjen e masës, t’ia mundësojë atij ushtrimin e papenguar të detyrës së Kryeprokurorit me të gjitha kompetencat që i takojnë me ligj dhe të përmbahet nga çdo veprim për zbatimin e vendimit të pezulluar, përfshirë publikimin e tij dhe mos-shpalljen e konkursit apo emërimin e Kryeprokurorit të ti.

Isufaj kishte kërkuar të urdhërohet KPK-ja të mos ndërmarrë asnjë akt tjetër që do ta bënte të pamundur dhe joproporcional rikthimin në gjendjen e mëparshme. Dhe që vendimi për caktimin e U.D Kryeprokurorit të mos prodhojë efekt juridik për kohëzgjatjen e masës.

Paditësi kishte vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së sigurisë në mënyrë kumulative sipas Ligjit për Konfliktet Administrative.

Ai ka theksuar se mandati i kësaj pozite është i caktuar katër vite, e meqenëse ishte emëruar më 11 dhjetor 2023, mandati i tij përfundon në dhjetor 2027.

Më tej, Isufaj kishte thënë se Këshilli kishte plotësuar pozitën me ushtrues detyre në ditën e njëjtë kur u largua nga detyra, e që hapi i radhës do të jetë shpallja e konkursit për emërimin e kryeprokurorit të ri me mandat të plotë. Andaj, kjo thuhet se do ta bënte kthimin e tij në pozitën e mëparshme të pamundur.

Gjithashtu, paditësi kishte pretenduar se pezullimi i vendimit nuk cenon interesin publik, por e mbron atë.

Në anën tjetër, e paditura KPK në përgjigjen e dhënë me shkrim më 6 nëntor 2026 ka deklaruar se propozimi i paditësit është në tërësi i pabazuar, sepse nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së sigurisë.

Sipas KPK-së, paditësi me asnjë provë të vetme nuk ka argumentuar se e bën të besueshëm ekzistimin e një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm ndaj interesave të tij, dhe se masa e kërkuar do të ndërhynte rëndë në interesin publik për funksionim të rregullt të Prokurorisë.

Këshilli ka shtuar se statusi i paditësit si prokuror nuk preket. Ka theksuar se publikimi i vendimit është obligim dhe transparencë, dhe se edhe në rast se padia e paditësit aprovohet, Isufaj ka të drejtë të kërkojë publikimin e tij në ueb-faqe të Këshillit.

Andaj, i ka propozuar Gjykatës që të refuzojë në tërësi si të pabazuar propozimin për masën e sigurisë.

Gjykata vlerëson se për caktimin e masës së sigurisë është e nevojshme të plotësohen në mënyrë kumulative dy kushte: marrja e masës së sigurisë është e domosdoshme për të shmangur një dëm të rëndë, të pakthyeshëm ndaj interesave të propozuesit të masës dhe që marrja e masës së sigurisë nuk cenon rëndë interesin publik.

Administrativja vlerëson se paditësi në kërkesë nuk ka paraqitur prova bindëse bashkëlidhur me kërkesë, se përse marrja e masës së sigurisë është e domosdoshme për të shmangur një dëm të rëndë, të pakthyeshëm ndaj interesave të paditësit.

“Gjykata i vlerëson pretendimet e paditësit se pozita nga e cila është shkarkuar është me mandat të kufizuar dhe se mosvendosja e masës do ta pamundësonte kthimin në gjendjen e mëparshme”, thuhet në vendim.

Megjithatë, sipas Gjykatës, vetëm fakti se pozita është me mandat të kufizuar, nuk është me mandat të kufizuar nuk është i mjaftueshëm për të konstatuar se paditësit do t’i shkaktohet dëm i rëndë dhe i pakthyeshëm, pa u konkretizuar, në raport me kohën e mbetur të mandatit, si dhe do të pamundësohej realizimi i të drejtave të tij.

Aty thuhet se pretendimi se mund të shpallet konkurs e të emërohet Kryeprokurori i ri, ka të bëjë me veprime që mund të ndërmerren në të ardhmen, e për të cilat nuk janë paraqitur të dhëna konkrete.

Edhe pretendimin për dëmtim të reputacionit dhe integritetit nga publikimi i vendimit, sipas Administratives, paditësi nuk e ka mbështetur në rrethana konkrete që tregojnë se pasojat e tij janë të pakthyeshme.

Andaj, kjo Gjykatë vlerëson se me pretendimet e paraqitura nuk është bërë i besueshëm kushti ligjor për ekzistimin e dëmit të pariparueshëm ose vështirë të riparueshëm, ngase pretendimet, sipas vendimit, kanë mbetur deklarative dhe të pambështetura me prova konkrete.

Sa i përket pretendimit të paditësit se caktimi i masës nuk e cenon interesin publik, Gjykata vlerëson se nuk mjafton një pohim i përgjithshëm, por se pala duhet ta provojë barrën me rrethana konkrete se pezullimi i vendimit nuk cenon interesin publik.

“Në rastin konkret, paditësi nuk ka paraqitur asnjë provë apo argumentim konkret që do ta bënte të besueshëm një përfundim të tillë, prandaj ky kusht ligjor nuk mund të konsiderohet i plotësuar”, thuhet në vendim.

Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se Blerim Isufaj me asnjë provë konkrete nuk ka arritur ta argumentojë se në rastin konkret plotësohen në mënyrë kumulative dy kushtet e parapara për caktimin e masës së sigurisë.

Administrativja vë në pah se ky vendim nuk ka të bëjë me vendosjen përfundimtare lidhur me padinë, por që ka të bëjë vetëm me masën e sigurisë.

Kundër këtij aktvendimi, është e lejuar ankesa në Gjykatën e Apelit në afat prej 7 ditësh, pas marrjes së tij, nëpërmjet gjykatës.