KDI kritikon deputetët për gjuhën në Komisionin Hetimor për rastin Zekaj: Po dëmtohet besimi i publikut
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj zhvillimeve në mbledhjet e Komisionit Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt, duke kritikuar deputetët për përdorimin e gjuhës joparlamentare dhe shndërrimin e diskutimeve në përplasje personale e partiake. Në reagimin e KDI-së thuhet se në disa nga mbledhjet e deritashme, diskutimet që duhej të përqendroheshin në çështjet…
Lajme
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj zhvillimeve në mbledhjet e Komisionit Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt, duke kritikuar deputetët për përdorimin e gjuhës joparlamentare dhe shndërrimin e diskutimeve në përplasje personale e partiake.
Në reagimin e KDI-së thuhet se në disa nga mbledhjet e deritashme, diskutimet që duhej të përqendroheshin në çështjet e parapara në rend të ditës janë shoqëruar me akuza, sulme dhe fyerje ndërmjet deputetëve.
Sipas KDI-së, devijimet e tilla nga agjenda e punës dëmtojnë procesin e hetimit parlamentar dhe besimin e qytetarëve në këtë komision.
Instituti vlerëson se përdorimi i një gjuhe të tillë është veçanërisht shqetësues në një komision që ka për detyrë të hetojë një rast kaq të ndjeshëm, siç është vrasja e Arlinda Zekajt.
“Kuvendi i ka besuar këtij komisioni një përgjegjësi të rëndësishme dhe deputetët kanë obligim që këtë çështje ta trajtojnë me dinjitet, duke pasur parasysh edhe familjen e viktimës”, thuhet në reagim.
KDI ka kërkuar nga kryesuesi i Komisionit Hetimor, Burim Ramadani, që të ndërmarrë masa të menjëhershme për të sanksionuar përdorimin e gjuhës joparlamentare.
Po ashtu, instituti ka kërkuar që mbledhjet e komisionit të zhvillohen në përputhje me rendin e ditës dhe standardet e sjelljes e komunikimit parlamentar. /Lajmi.net/