Jakup Krasniqi arrin në shtëpinë e tij
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka ardhur në vizitë në Kosovë. Vizita e tij ka ardhur pasi raportohet se bashkëshortja e tij ka probleme shëndetësore. Vizitën e tij në Kosovë e kanë konfirmuar për lajmi.net edhe nga Gjykata Speciale në Hagë. Ata kanë thënë se Jakup Krasniqit i është mundësuar një vizitë në…
Lajme
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka ardhur në vizitë në Kosovë.
Vizita e tij ka ardhur pasi raportohet se bashkëshortja e tij ka probleme shëndetësore.
Vizitën e tij në Kosovë e kanë konfirmuar për lajmi.net edhe nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ata kanë thënë se Jakup Krasniqit i është mundësuar një vizitë në Kosovë, nën mbikëqyrje, për arsye të forta humanitare.
“Për arsye të forta humanitare, Trupi Gjykues e ka udhëzuar Zyrën Administrative që të organizojë një vizitë në Kosovë, nën mbikëqyrje, për Jakup Krasniqin”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për lajmi.net.
Gjykata Speciale ka bërë të ditur se Trupi Gjykues e ka udhëzuar Zyrën Administrative që të organizojë këtë vizitë.
Sipas përgjigjes së gjykatës, kjo është vizita e 15-të e këtij lloji që një të paraburgosuri i lejohet të realizojë në Kosovë, me urdhër të gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara për arsye humanitare.
Tutje, Gjykata Speciale ka sqaruar se vizitat e tilla lejohen në bazë të Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, e cila bazohet në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në përgjigjen dërguar redaksisë, gjykata ka theksuar se çdo kërkesë e tillë shqyrtohet nga gjyqtari ose gjyqtarët përgjegjës për rastin, të cilët i vlerësojnë të gjitha rrethanat në kohën kur paraqitet kërkesa.
“Vizita të tilla nën mbikëqyrje lejohen në bazë të Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Kjo rregullore është miratuar nga gjyqtarët dhe bazohet në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Standarde Minimale të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve. Kur një i paraburgosur paraqet një kërkesë të tillë, gjyqtari ose gjyqtarët që trajtojnë rastin i vlerësojnë të gjitha rrethanat në momentin e paraqitjes së kërkesës, duke vepruar me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata të tilla. Vendimi merret në bazë të kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, kanë thënë nga Specialja për lajmi.net. /Lajmi.net/