Kurti takohet me kryediplomaten irlandeze, kërkon mbështetjen e Irlandës për statusin e kandidatit në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministren e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Irlandës, Helen McEntee, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Dublin. Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kurti e ka falënderuar kryediplomaten irlandeze për ftesën dhe pritjen në këtë samit, transmeton lajmi.net. Gjatë…

Lajme

12/11/2026 23:41

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministren e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Irlandës, Helen McEntee, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Dublin.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kurti e ka falënderuar kryediplomaten irlandeze për ftesën dhe pritjen në këtë samit, transmeton lajmi.net.

Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, tregtinë, arsimin dhe kulturën, me theks të veçantë në sektorin e teknologjisë së informacionit.

“Biseduam për thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, arsimor e kulturor, posaçërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit, nëpërmjet shtimit të ndërveprimit. Ndërsa shpreha mirënjohjen për ndihmën dhe kontributin e Irlandës për popullin dhe vendin tonë”, ka deklaruar Kurti.

Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë perspektiva evropiane e Kosovës. Kryeministri ka vlerësuar se vendit i takon statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe hapja e negociatave për anëtarësim.

Ai ka shprehur pritshmërinë që Irlanda të mbështesë këtë proces gjatë presidencës së saj të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Kurti ka theksuar se dhënia e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave do të ishte një vendim i drejtë dhe i merituar për Republikën e Kosovës./lajmi.net/