Kurti takohet me kryeministrin e Kanadasë: Biseduam për marrëdhëniet dypalëshe, për sigurinë dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, çështjet e sigurisë dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit, transmeton lajmi.net. “Biseduam…

Lajme

12/11/2026 23:21

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, çështjet e sigurisë dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit, transmeton lajmi.net.

“Biseduam për marrëdhëniet dypalëshe, për sigurinë dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit”, ka shkruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Kanadaja i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke përmendur edhe periudhën e luftës së vitit 1999.

“E falënderova për miqësinë dhe përkrahjen e Kanadasë për vendin tonë, për pranimin e mijëra refugjatëve nga Kosova gjatë vitit 1999, për pjesëmarrjen në intervenimin e NATO-s, për kontributin në rindërtim dhe zhvillim, për njohjen e pavarësisë dhe për mbështetjen në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka përmendur gjithashtu edhe bashkëpunimin në sektorin e minierave, duke rikujtuar pjesëmarrjen e një delegacioni qeveritar të Kosovës në Konventën e Shoqatës së Kërkuesve dhe Zhvilluesve të Kanadasë (PDAC), e mbajtur në mars në Toronto.

Sipas Kurtit, kjo konventë është një prej ngjarjeve më të mëdha botërore për sektorin e minierave.

Në fund, kryeministri ka vlerësuar rëndësinë e Kanadasë si partnere strategjike për Kosovën, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Kanadaja, shtet anëtar i NATO-s dhe i G7, është mike dhe partnere e rëndësishme për sigurinë, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të përbashkëta”, ka shkruar Kurti./lajmi.net/