Del audioincizimi i Halil Thaçit ku mburrej se po punësonte militantë të partisë: Albini ma çeli konkursin në balotazh – fiks 150 vende pune për Obiliqin
Një audioincizim i publikuar ka zbuluar detaje të reja lidhur me konkursin e shumëpërfolur të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në vitin 2021, ku kryetari i Komunës së Obiliqit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, dëgjohet duke folur hapur për ndërhyrjet politike dhe punësimet partiake në këtë ndërmarrje publike. Biseda, e cila është regjistruar në…
Lajme
Një audioincizim i publikuar ka zbuluar detaje të reja lidhur me konkursin e shumëpërfolur të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në vitin 2021, ku kryetari i Komunës së Obiliqit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, dëgjohet duke folur hapur për ndërhyrjet politike dhe punësimet partiake në këtë ndërmarrje publike.
Biseda, e cila është regjistruar në një odë në Obiliq mes datave 12 tetor dhe 9 nëntor 2025 – gjatë fushatës së balotazhit përballë kundërkandidatit Xhafer Gashi – shpërfaq prapaskenat e konkursit për 150 vende pune të shpallur më 6 nëntor 2021, vetëm tetë ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Në incizim e publikuar nga mediumi Vox Kosova, Thaçi deklaron para të pranishmëve se hapja e atij konkursi ishte bërë direkt nga Kryeministri Albin Kurti me qëllim të ndikimit në rezultatin zgjedhor në Obiliq. Sipas rrëfimit të tij, Kurti e kishte porositur që t’u qëndronte besnik premtimeve ndaj qytetarëve edhe nëse i humbiste zgjedhjet, duke i garantuar se do të ndërhynte nëse dikush do ta pengonte.

Pavarësisht se e humbi balotazhin e vitit 2021 përballë Xhafer Gashit, Thaçi tregon se kishte shkuar në KEK për të siguruar realizimin e punësimeve. Pasi ishte takuar me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, ky i fundit e kishte drejtuar te drejtori i Zyrës Ligjore. Thaçi rrëfen përplasjen me zyrtarin ligjor, i cili i kishte ofruar punësimin e 7 deri në 8 familjarëve për ta mbyllur këtë çështje, ofertë të cilën Thaçi thotë se e kishte refuzuar kategorikisht.
Në bisedën me zyrtarin e KEK-ut, Thaçi thotë se kishte insistuar që të punësoheshin fiks 150 banorë të Obiliqit, duke përdorur emrin e kryeministrit si garanci se konkursi ishte hapur enkas për këtë komunë. Madje, kur i ishte përmendur humbja në zgjedhje, ai kishte kërkuar punësimin e 4,200 personave, duke iu referuar numrit të votave që kishte marrë.
Më tej, Thaçi konfirmon se nga 127 pozita që kishin vazhduar procedurat, kishte arritur të punësonte 96 persona nga Obiliqi, prej të cilëve 64 ishin me asistencë sociale. Ai shprehet i brengosur vetëm për 7–8 persona të listës së tij që kishin mbetur pa u punësuar, me arsyetimin se nuk kishin njohuri elementare në kompjuter dhe nuk dinin të përdornin as postën elektronike.
Ky konkurs ishte bërë objekt hetimesh nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në prill të vitit 2022 pas raportimeve të shumta në media . Në po atë ditë, Kryeministri Albin Kurti kishte mohuar publikisht se kishte pasur punësime të militantëve partiakë, duke deklaruar se procesi ishte vlerësuar nga komisione profesionale. Megjithatë, një muaj më vonë, në maj të vitit 2022, KEK-u e kishte anuluar plotësisht konkursin./lajmi.net/