Biznesmeni nga Prizreni publikon faturën e energjisë: 157 mijë euro për një muaj, alarmon për mbijetesën e prodhuesve vendorë

Biznesmeni nga Prizreni, Alajdin Fusha, ka shkruar për faturën mujore e cila erdhi në kompaninë e tij. Ai ka treguar se kjo faturë kapi shifrën e 157,884.67 euro, duke shtuar se fatura reale nga KESCO, më 9 nëntor 2026, për 505,974 kWh energji elektrike të faturuar. Fusha ka shprehur shqetësimin e tij sesi mund të…

Lajme

10/11/2026 23:40

Biznesmeni nga Prizreni, Alajdin Fusha, ka shkruar për faturën mujore e cila erdhi në kompaninë e tij.

Ai ka treguar se kjo faturë kapi shifrën e 157,884.67 euro, duke shtuar se fatura reale nga KESCO, më 9 nëntor 2026, për 505,974 kWh energji elektrike të faturuar.

Fusha ka shprehur shqetësimin e tij sesi mund të vazhdojnë prodhuesit vendorë të mbijetojnë me këto çmime.

Postimi i plotë

0.312 € PËR 1 kWh ENERGJI ELEKTRIKE! SI MUND TË MBJETOJË PRODHIMI VENDOR ME KËTO ÇMIME?

157,884.67 € faturë e energjisë elektrike për fabrikën tonë!

Kjo nuk është një shifër e imagjinuar. Është fatura reale që kemi pranuar nga KESCO, më 9 nëntor 2026, për 505,974 kWh energji elektrike të faturuar.

Kur i llogarisim të gjitha kostot e furnizimit, rrjetit dhe TVSH-së, një kilovat-orë energji elektrike na kushton 0.312 €, apo 31.2 centë!

Si prodhues vendor, shtroj një pyetje shumë serioze:

SI MUND TË PRODHOJMË, TË KONKURROJMË DHE TË MBAJMË VENDET E PUNËS ME KËTO KOSTO?

Merreni si shembull një litër qumësht apo një kilogram speca. Përpara se produkti të arrijë te konsumatori, prodhuesi duhet të paguajë lëndën e parë, grumbullimin, përpunimin, energjinë elektrike, ambalazhimin, pagat, transportin, tatimet dhe shumë shpenzime të tjera.

Kur vetëm një kWh kushton mbi 31 centë, sa hapësirë i mbetet prodhuesit për të qenë konkurrues dhe për të siguruar vazhdimësinë e aktivitetit?

Ne kemi investuar me kohë në panele solare, duke marrë përsipër një investim të konsiderueshëm për të zvogëluar varësinë nga energjia e blerë. Sot, kur e shoh këtë faturë, sinqerisht nuk mund ta imagjinoj sa më e rëndë do të ishte situata sikur të mos i kishim instaluar ato.

Por çfarë ndodh me fabrikat e tjera që nuk kanë pasur mundësi të investojnë në energji solare?

E nderuar ministre Mimoza Kusari-Lila,

Ditëve të fundit keni folur për monitorimin e tregut të naftës dhe mundësinë e rikthimit të çmimit tavan për derivatet.

Kjo më shtyn t’ju drejtoj një pyetje publike:

Nëse institucionet mund të shqyrtojnë vendosjen e një çmimi tavan për naftën, a mund të shqyrtojnë, në bashkëpunim me ZRRE-në dhe institucionet përgjegjëse, edhe mekanizma për mbrojtjen e prodhuesve nga çmimet kaq të larta të energjisë elektrike?

Nuk po kërkojmë energji falas. Nuk po kërkojmë privilegje. Po kërkojmë kushte ekonomikisht të përballueshme për të prodhuar në Kosovë.

Sepse energjia elektrike për një fabrikë nuk është luks. Është lëndë e domosdoshme për prodhim, njësoj si qumështi për qumështoren apo gruri për fabrikën e miellit.

Nëse një prodhues vendor nuk arrin të mbulojë kostot, ai detyrohet të rrisë çmimet, të zvogëlojë prodhimin, të shtyjë investimet ose, në rastin më të rëndë, të ndërpresë aktivitetin.

Dhe kush humbet në fund?

Humbin punëtorët, fermerët, furnitorët, konsumatorët dhe ekonomia e Kosovës.

Prandaj kërkojmë që Qeveria, Ministria e Ekonomisë, ZRRE-ja dhe institucionet e tjera përgjegjëse të shqyrtojnë urgjentisht koston e energjisë për industrinë përpunuese, transparencën e formimit të çmimeve, mundësinë e mekanizmave mbrojtës ligjorë dhe mbështetjen konkrete për investimet në energji të ripërtëritshme.

Nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik, zëvendësim të importeve dhe rritje të eksporteve, ndërkohë që prodhuesit vendorë përballen me kosto energjetike që ua dobësojnë konkurrueshmërinë.

Ne duam të vazhdojmë të prodhojmë në Kosovë, të punësojmë në Kosovë, të blejmë lëndë të parë nga fermerët tanë dhe të investojmë në vendin tonë.

Por për këtë na nevojitet një mjedis ekonomik që e bën prodhimin të qëndrueshëm.

Pyetja ime për institucionet është e thjeshtë:

A duam një Kosovë që prodhon, apo një Kosovë që bëhet gjithnjë e më e varur nga importi?

Sepse pa prodhim vendor të qëndrueshëm nuk mund të ketë ekonomi të qëndrueshme.