Hoxhaj për kreun e PDK-së: Nuk mjafton një emër i ri, duhet drejtim i ri dhe përballje brutale me Kurtin
Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj ka deklaruar se zgjedhja e kryetarit të ri të PDK-së duhet të sjellë një drejtim të ri politik dhe gatishmëri për përballje të ashpër politike me Albin Kurtin. Në emisionin “Shteg” me Dibran Hoxhën, ai ka thënë se është i gatshëm të garojë, por vendimin përfundimtar do ta marrë kur…
Lajme
Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj ka deklaruar se zgjedhja e kryetarit të ri të PDK-së duhet të sjellë një drejtim të ri politik dhe gatishmëri për përballje të ashpër politike me Albin Kurtin.
Në emisionin “Shteg” me Dibran Hoxhën, ai ka thënë se është i gatshëm të garojë, por vendimin përfundimtar do ta marrë kur të hapet gara brenda partisë.
“Unë jam duke biseduar brenda me kolegët e mi, jam i bindur që e kam edhe përvojën, edhe guximin, por edhe përvojën intelektuale për ta sjellë PDK-në nga opozita në pushtet. Natyrisht që qëllimi ynë është edhe ta largojmë Albin Kurtin nga pushteti. Duke e ripozicionuar PDK-në, duhet të jetë i gatshëm që të ballafaqohet brutalisht, politikisht me Albin Kurtin. Unë jam i gatshëm që të garoj dhe do ta marr vendimin final kur të hapet gara në PDK, por jam i gatshëm të garoj duke e bashkuar PDK-në brenda dhe duke e hapur PDK-në ndaj të tjerëve jashtë, meqë PDK-në e shoh si një aset kombëtar i cili e rikthen një lidership të ri.”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se zgjedhja e kryetarit të ri të PDK-së duhet të përfaqësojë përcaktimin e një drejtimi të ri politik.
“PDK-ja ka nevojë ta rigjejë rolin e saj, ashtu si e tërë opozita. PDK-ja ka nevojë të ketë koncept të qartë politik që zgjedhja e kryetarit të ri nuk është zgjedhje e personazhit të ri, por është përcaktim i një drejtimi të ri. Kosova ka nevojë të ketë një parti politike të madhe në opozitë”, është shprehur ai.
Hoxhaj ka kritikuar qasjen e opozitës gjatë gjashtë viteve të fundit, duke thënë se ajo e ka pranuar degradimin dhe izolimin ndërkombëtar si fat të pashmangshëm. Sipas tij, partitë opozitare duhet të përcaktojnë se ku synojnë të arrijnë dhe të ndjekin qasjen e konfrontimit me qeverinë.
“Jam ithtar i asaj që vetëm ballafaqimi përnjëmend, vetëm përplasja e ideve dhe koncepteve mund të ofrojë zgjidhje të vërteta”, ka thënë Hoxhaj.
Duke folur për gatishmërinë për të garuar, ai ka theksuar bashkimin e partisë dhe hapjen e saj ndaj të tjerëve.
“Unë jam i gatshëm që të garoj dhe do ta marr vendimin final kur të hapet gara në PDK, por jam i gatshëm të garoj duke e bashkuar PDK-në brenda dhe duke e hapur PDK-në ndaj të tjerëve jashtë, meqë PDK-në e shoh si një aset kombëtar i cili e rikthen një lidership të ri”, ka deklaruar Hoxhaj.