Nxirret nga liqeni i Ujmanit vetura që ishte fundosur para një viti, Policia tregon detajet e operacionit

Një automjet që ishte fundosur në liqenin e Ujmanit në rrethana të paqarta është nxjerrë nga uji të dielën, pas një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe disa institucioneve të tjera. Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar më 8 nëntor 2026, në Mitrovicën e Veriut, në bashkëpunim me Ekipin Nacional të Kërkim-Shpëtimit,…

Lajme

08/11/2026 14:55

Një automjet që ishte fundosur në liqenin e Ujmanit në rrethana të paqarta është nxjerrë nga uji të dielën, pas një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe disa institucioneve të tjera.

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar më 8 nëntor 2026, në Mitrovicën e Veriut, në bashkëpunim me Ekipin Nacional të Kërkim-Shpëtimit, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe Klubin e Zhytjes “Trepça”.

Operacioni ka nisur rreth orës 10:00, ndërsa në orën 12:40 është bërë identifikimi dhe nxjerrja e automjetit nga liqeni.

Policia ka bërë të ditur se aksioni u mundësua pas rënies së nivelit të ujit në liqenin e Ujmanit, ndërsa shërbeu edhe si trajnim praktik për pjesëtarët e institucioneve të përfshira.

Rasti ishte raportuar më 14 tetor 2025, kur pronari kishte njoftuar se vetura e tij, e parkuar jashtë rrugës pranë liqenit, kishte rënë në ujë dhe ishte fundosur në rrethana të paqarta.

Pas nxjerrjes nga liqeni, automjeti i është dorëzuar pronarit legjitim.

Policia ka ritheksuar përkushtimin për bashkëpunim me institucionet e tjera në operacione të tilla në shërbim të qytetarëve. /Lajmi.net/