Zemaj sfidon Qeverinë Kurti: Kërkon vetëm 17 emra nga 171 mjekët që kryeministri tha se janë kthyer në Kosovë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka sfiduar kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore që të dëshmojnë kthimin e 171 mjekëve në Kosovë gjatë vitit 2025. Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se nuk kërkon listën e plotë të 171 mjekëve specialistë, por vetëm 17 emra të atyre…

Lajme

08/11/2026 12:43

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka sfiduar kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore që të dëshmojnë kthimin e 171 mjekëve në Kosovë gjatë vitit 2025.

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se nuk kërkon listën e plotë të 171 mjekëve specialistë, por vetëm 17 emra të atyre që, sipas deklaratës së Kurtit, janë kthyer nga mërgata dhe janë punësuar në sistemin publik shëndetësor.

“E sfidoj cilindo përfaqësues të Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë apo SHSKUK-së që të na ofrojë vetëm 17 emra të mjekëve specialistë, jo 171, të cilët janë kthyer nga mërgata gjatë vitit 2025 dhe tashmë janë të punësuar me kontrata të rregullta në sistemin publik shëndetësor të Kosovës”, ka shkruar Zemaj.

Reagimi i tij vjen pasi kryeministri Albin Kurti, një ditë më parë, foli për atë që e cilësoi si “kthimi i trurit” në Kosovë.

Kurti kishte deklaruar se vetëm gjatë vitit 2025, në Kosovë janë kthyer për të jetuar dhe punuar 171 mjekë.

Ndërkaq, Zemaj ka kërkuar që kjo shifër të dëshmohet përmes emrave të mjekëve specialistë që janë kthyer dhe tashmë janë pjesë e sistemit publik shëndetësor në vend. /Lajmi.net/