Nga mungesa e uniformave dhe kapelave te anulimi i tenderit për karrige – sot diplomoi gjenerata e 63-të e Policisë
Pas shumë problemesh me furnizimin me uniforma, mungesën e kapelave dhe anulimin e tenderit për karriget e ceremonisë, sot është mbajtur diplomimi i gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, raporton lajmi.net. Ceremonia e diplomimit, e cila fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 30 tetor, ishte shtyrë për shkak…
Lajme
Pas shumë problemesh me furnizimin me uniforma, mungesën e kapelave dhe anulimin e tenderit për karriget e ceremonisë, sot është mbajtur diplomimi i gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, raporton lajmi.net.
Ceremonia e diplomimit, e cila fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 30 tetor, ishte shtyrë për shkak të mungesës së uniformave për kadetët e rinj.
Problemet me pajisjet e nevojshme për policët e rinj nuk përfunduan me kaq.
Më 2 nëntor, u raportua se zyrtareve policore u ishte kërkuar që t’i huazonin kapelat e tyre për kadetët, në mënyrë që këta të fundit t’i përdornin gjatë ceremonisë së diplomimit.
Sipas raportimeve, kjo kërkesë ishte bërë për shkak të mungesës së kapelave për gjeneratën e re.
Ndërkohë, vetëm një ditë para organizimit të ceremonisë, Policia e Kosovës anuloi edhe tenderin për sigurimin e karrigeve.
Vendimi për anulimin e këtij tenderi u mor më 4 nëntor, ndërsa në procedurën e prokurimit kishin marrë pjesë dy operatorë ekonomikë.
Në njoftimin për anulimin e tenderit nuk ishin dhënë arsye konkrete për këtë vendim.
Pavarësisht këtyre problemeve organizative dhe vështirësive me furnizimin, ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të u mbajt sot, më 6 nëntor, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Gjatë ceremonisë, kryeministri Albin Kurti foli për investimet e Qeverisë në Policinë e Kosovës, duke deklaruar se buxheti për këtë institucion është rritur për mbi 50 për qind gjatë pesë viteve të fundit.
Ai përmendi gjithashtu investimet në objekte policore, automjete, autoblinda dhe pajisje të tjera.
Megjithatë, deklaratat për investimet në Polici erdhën pas raportimeve për mungesën e pajisjeve bazë për kadetët që po diplomonin.
Me ceremoninë e sotme, gjenerata e 63-të përmbylli procesin e trajnimit dhe diplomimit, duke u përgatitur për t’iu bashkuar radhëve të Policisë së Kosovës./Lajmi.net/