Kadetët policorë furnizohen me uniforma, të premten pritet të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të

Policia e Kosovës pritet të pajisë me uniforma kadetët e gjeneratës së 63-të, pasi mungesa e tyre kishte bërë që të shtyhej ceremonia e diplomimit, e paraparë fillimisht për 30 tetor Lajmi.net ka mësuar nga burimet e veta se uniformat tashmë u janë sjellë zyrtarëve të rinj policorë, ndërsa ceremonia e diplomimit pritet të mbahet…

Lajme

03/11/2026 11:13

Policia e Kosovës pritet të pajisë me uniforma kadetët e gjeneratës së 63-të, pasi mungesa e tyre kishte bërë që të shtyhej ceremonia e diplomimit, e paraparë fillimisht për 30 tetor

Lajmi.net ka mësuar nga burimet e veta se uniformat tashmë u janë sjellë zyrtarëve të rinj policorë, ndërsa ceremonia e diplomimit pritet të mbahet më 6 nëntor.

Më herët, kërkesa për huazimin e kapelave nga zyrtaret policore femra për kadetët e kësaj gjenerate kishte nxitur reagime, pasi në një komunikim të brendshëm u ishte kërkuar drejtorëve të drejtorive dhe shefave të njësive që të siguronin kapelat deri në diplomimin e kadetëve.

Sipas komunikimit të publikuar, kapelat do të grumbulloheshin nga drejtoritë dhe njësitë policore, për t’iu dorëzuar më pas Drejtorisë së Logjistikës. Ato do të huazoheshin deri në diplomimin e gjeneratës së 63-të, pas së cilit pritej t’u ktheheshin pronareve.

Ndërkohë, kjo situatë riktheu në vëmendje mungesën e furnizimit të rregullt me uniforma në Policinë e Kosovës.

Policia kishte konfirmuar më herët se pas skadimit të kontratës për furnizim me uniforma në vitin 2021, nuk kishte arritur të lidhte kontratë të re për shkak të ankesave dhe procedurave të prokurimit.

Megjithatë, në korrik të vitit 2026, Policia e Kosovës nënshkroi kontratë në vlerë prej rreth 10.64 milionë eurosh për furnizimin me uniforma standarde për zyrtarët policorë, femra dhe meshkuj, për një periudhë 36-mujore.

Derisa ende nuk dihet nëse me arritjen e uniformave për kadetët dhe realizimin e kontratës së re do të marrë fund edhe problemi i furnizimit me uniforma në Policinë e Kosovës.

Ndryshe një nga zotimet e kryeministrit Albin Kurti kur mori pushtetin në vitin 2021 ishte sigurimi jetësor dhe shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvend, më 22 mars 2021, Kurti kishte deklaruar: “Njëjtë sikurse policia që na japin neve siguri, edhe ne duhet t’u japim zyrtarëve policorë sigurimin jetësor e shëndetësor si një e drejtë e garantuar për punën e tyre të rëndësishme, por edhe nën rrezik”.

Megjithatë, më shumë se pesë vjet pas këtij zotimi, sigurimi jetësor dhe shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës ende nuk është realizuar.

Në një raport të Ministrisë së Punëve të Brendshme për zbatimin e masave qeveritare ishte evidentuar nevoja për ndryshimin e Ligjit për Policinë, me qëllim të përfshirjes së sigurimit jetësor dhe shëndetësor për zyrtarët policorë. Kjo masë ishte paraparë të realizohej gjatë vitit 2022, por në raport ishte shënuar se nuk kishte pasur zhvillime në këtë drejtim.

Ndërkohë, Ligji për Sigurimet Shëndetësore në Kosovë ishte miratuar që në vitin 2014, por zbatimi i tij ishte zvarritur për vite me radhë. Më 15 maj 2026 u publikua Ligji i ri për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Megjithatë, miratimi i tij nuk nënkupton automatikisht se pjesëtarët e Policisë së Kosovës e kanë të garantuar edhe sigurimin jetësor, për të cilin Kurti kishte dhënë zotimin në vitin 2021. /Lajmi.net/