Përplasje në Komisionin për rastin e Arlinda Zekajt, VV bllokon përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në hetim

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekës, deputeti Burim Ramadani, tha se në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, “u barrikadua” kundër përfshirjes së Zyrës së Kryeministrit si një prej adresave ku Komisioni do të kërkonte dokumente dhe dëshmi. “Pra, VV…

Lajme

06/11/2026 17:53

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekës, deputeti Burim Ramadani, tha se në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, “u barrikadua” kundër përfshirjes së Zyrës së Kryeministrit si një prej adresave ku Komisioni do të kërkonte dokumente dhe dëshmi.

“Pra, VV nuk lejoi që Zyra e Kryeministrit të përfshihej në listën e institucioneve prej të cilave Komisioni do të kërkonte dokumente dhe dëshmi. Kur e kuptova bllokadën, u dhashë 5 minuta pauzë me shpresën se do të ndryshonin qëndrimin, por kjo nuk ndodhi”.

Pas pauzës, Ramadani tha se pavarësisht se ekzistuan të gjitha argumentet e qëndrueshme që ZKM duhet të përfshihet si institucion ku Komisioni Hetimor kërkon dokumente dhe dëshmi, VV mbeti kundër.

“Për këtë arsye, e ndërpreva mbledhjen. Përballë kësaj bllokade, nuk kishte kuptim të vazhdohej mbledhja. Mbledhja e radhës do të mbahet të hënën. E lus Lëvizjen Vetëvendosje të reflektojë e të mos bllokojë!”.