Haxhiu takohet me Schuebel, diskutohet Raporti i KE-së: Shpreha gatishmërinë për ta thelluar bashkëpunimin mes Kuvendit dhe Zyrës së BE-së
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, me të cilin ka diskutuar për Raportin e Komisionit Evropian dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës. Përmes një postimi, Haxhiu ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për mundësitë e përshpejtimit të reformave,…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, me të cilin ka diskutuar për Raportin e Komisionit Evropian dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Përmes një postimi, Haxhiu ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për mundësitë e përshpejtimit të reformave, tashmë që Kuvendi i është kthyer punës, transmeton lajmi.net.
“Tani që Kuvendi i është kthyer punës, kemi mundësinë t’i japim një ritëm të ri reformave dhe të shënojmë përparim në fushat ku janë evidentuar ngecje”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se vëmendje e veçantë i është kushtuar Agjendës së Reformave, Planit të Rritjes dhe përmbushjes së detyrimeve brenda afateve kohore.
Po ashtu, sipas saj, është diskutuar edhe për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Zyrës së BE-së.
Haxhiu ka theksuar se rruga drejt integrimit evropian kërkon angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha institucionet.
“Besoj se me bashkëpunim dhe me angazhim të përbashkët mund të shënojmë përparim të dukshëm në reformat që i duhen vendit dhe qytetarëve tanë”, ka deklaruar ajo./lajmi.net/