Maqedonci takohet në Berlin me përfaqësuesin e Gjermanisë në NATO, diskutojnë bashkëpunimin në mbrojtje

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar të mërkurën në Berlin me ambasadorin Detlef Wächter, Përfaqësuesin e Përhershëm të Gjermanisë në NATO. Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe mbështetja gjermane për rrugën euroatlantike të Kosovës. Sipas Maqedoncit, gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e avancimit të partneritetit…

Lajme

04/11/2026 18:28

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar të mërkurën në Berlin me ambasadorin Detlef Wächter, Përfaqësuesin e Përhershëm të Gjermanisë në NATO.

Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe mbështetja gjermane për rrugën euroatlantike të Kosovës.

Sipas Maqedoncit, gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e avancimit të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin ushtarak dhe zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Një ndër çështjet kryesore ishte edhe mundësia e trajnimit, edukimit dhe zhvillimit profesional të pjesëtarëve të FSK-së në shkollat dhe kurset e NATO-s.

Po ashtu, është diskutuar synimi strategjik i Kosovës për anëtarësim në NATO dhe rëndësia e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë në realizimin e këtij objektivi.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka vlerësuar rolin e Gjermanisë si partnere strategjike në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe avancimin e integrimit euroatlantik të Kosovës.

“Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe avancimin e integrimit euroatlantik”, ka shkruar Maqedonci.